Greqia drejt tregjeve – Brenda disa javëve mund t`i japë fund ekzilit 3-vjeçar
Greqia mund të rikthehet në tregjet financiare gjatë javëve në vijim, pohojnë për Reuters investitorë dhe bankierë të ndryshëm që janë angazhuar në bisedime.
Ky do të ishte një hap mjaft i rëndësishëm drejt dhënies fund të varësisë së Greqisë ndaj fondeve të kreditorëve.
Mekanizmi europian i stabilitetit njoftoi në fillim javë se, Greqia duhet të zhvillojë një strategji për t’i dhënë fund ekzilit tre vjeçar nga tregjet e borxhit, përpara se të përfundojë edhe programi i tretë i shpëtimit në mes të vitit të ardhshëm.
Investitorë dhe bankierë të ndryshëm bëjnë me dije se marrëveshja është shumë pranë, pasi ka shumë lëvizje në tregje që e sinjalizojnë diçka të tillë. Madje, marrëveshja me shumë gjasa do të vijë përpara se, investitorët dhe bankierët të nisen për pushime.
Ministria greke e financave ndërkohë nuk ka dhënë asnjë koment në lidhje me çështjen.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.