Greqia heq kufizimet për fluturimet me Shqipërinë – Udhëtarët duhet t’i nënshtrohen karantinës 7 ditore
Autoritetet greke shtynë në prill kufizimet e lëvizjes në kufirin tokësor me Shqipërinë duke lejuar drejt Greqisë vetëm lëvizjen në Pikën e Kakavijës por nga ana tjetër Autoriteti grek i Aviacionit Civil hoqi masat kufizuese të fluturimeve ajrore me Shqipërinë.
Polica kufitare greke e njoftoi palën shqiptare të hënën për shtyrjen e afatit të bllokimit të Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë, deri në datën 5 Prill.
Sipas policisë greke dalja nga Shqipëria dhe hyrja drejt Greqisë nëpërmjet kësaj pike kalimi do të vijojë të jetë e mbyllur, ndërsa dalja nga Greqia dhe hyrja drejt Shqipërisë do të jetë e lejuar nga ora 6 e mëngjesit deri në orën 22 të mbrëmjes për të gjithë shtetasit dhe kategoritë e mjeteve por ndërkohë Greqia ka hequr kufizimet për fluturimet nga Shqipëria, Turqia dhe Maqedonia e Veriut.
Sipas Autoritetit Grek të Aviacionit Civil të gjithë udhëtarët që vijnë nga jashtë do t’i nënshtrohen karantinës 7 ditore në shtëpi dhe pasagjerët ndërkombëtarë në pikat e mbërritjes duhet të paraqesin testin “COVID-19” me rezultat negativ, të kryer brenda 72 orëve nga mbërritja e tyre.
Sipas Autoritetit grek të Aviacionit pasagjerët ndërkombëtarë do të kontrollohen pas mbërritjes dhe në rast se testet gjejnë një pasagjer pozitiv, karantina do të jetë e vlefshme për 14 ditë. (VOA)
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.