Greqia, “kumbarja” e negociatave – Organizon takim në Bruksel me ministrat e jashtëm, i pranishëm edhe Gent Cakaj
Greqia është shteti europian i cili po lobon më fuqishëm se të gjithë të tjerët për rihapjen e çështjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në kuadër të kësaj politike të Athinës zyrtare, ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias, organizoi këtë të hënë në mëngjes një takim informal pune, ku të pranishëm kanë qenë edhe ministri i jashtëm në detyrë i vendin tonë, Gent Cakaj, Ministri i jashtëm maqedonas, Nikola Dimitrov, si dhe 20 ministra të jashtëm nga vendet e Bashkimit Europian, përfshirë atë të Francës, Holandës, Gjermanisë dhe Danimarkës.
Komisioni Europian do të përfaqësohet në këtë takim jo formal pune nga komisioneri për zgjerim, Oliver Varhelyi si dhe nga Helga Schmid, sekretare e përgjithshme e EEAS, shërbimi diplomatik i Bashkimit Europian, njofton vetë Ministria e jashtme greke. Këtë takim pune e ka përshëndetur edhe ministri i jashtëm në detyrë, Gent Cakaj.
Agjencia greke e lajmeve shkruan se, kjo iniciativë e qeverisë greke ka për qëllim që të ofrojë një mundësi më të mirë dhe të frytshme, jo formalisht të qëndrimit të vendeve anëtare mbi debatin e zgjerimit, si dhe propozimet e Francës mbi metodologjinë që duhet ndjekur për zgjerimin. Ndër të tjera, agjencia e lajmeve greke shkruan se Greqia kërkon të rrisë rolin e saj në rajon nëpërmjet kësaj iniciativë.
Në një intervistë për Fianancial Times javën e kaluar, kryeministri grek, Mitsotakis u shpreh haptazi në favor të hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duke u shprehur besimplotë edhe për kthesën e francezëve.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.