Greqia “pajtohet” me kreditorët, palët pranë marrëveshjes
Greqia dhe kreditorët ndërkombëtarë kanë bërë progrese të konsiderueshme ditën e Premte, duke sheshuar diferencat kryesore mes tyre, sidomos ato në drejtim të politikave fiskale për vitet në vijim. Progresi përkthehet në marrëveshje mes palëve, dhe më e rëndësishmja në disbursimin e këstit të radhës së huasë, çka do të thotë shmangie e falimentit.
Ministri grek i financave, Euclid Tsakalots u takua me kreun e Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem si dhe me drejtuesit më të lartë të Bankës Qendrore Europiane. Fondit europian të shpëtimit, Komisionit Europian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, me qëllimin për t`i dhënë fund dy muajve bisedime në ngërç.
“Ne bëmë një progres thelbësor sot, dhe kemi gjetur gjuhën e përbashkët në mënyrë që kreditorët të rikthehen me një mision në Athinë në javët në vijim. Misioni në Athinë, në nivel ekspertësh do të vlerësojë reformat që ka ndërmarrë Athina, me qëllimin për të dalë në një përfundim të saktë mbi planin e shpëtimit.
Një vlerësim pozitiv nga këta ekspertë përkthehet në para të tjera për Athinën. Në rast të kundërt, Greqia rrezikon të falimentojë, pasi në muajin Korrik do t`i duhet të shlyejë një pagesë prej 7.2 miliardë eurosh.
Roel Korkuti/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.