Greqia, papunësi kronike – Stanjacion shifrash, norma fiksohet në 23.2%
Norma e papunësisë në Greqi ra lehtë në 23.2% gjatë Shkurtit, nga 23.3% që ishte në muajin paraardhës, tregojnë të dhënat e fundit të publikuara nga zyra e statistikave në vend.
Të dhënat e muajit janar ndërkohë janë rishikuar në territor pozitiv, në 23.3% nga 23.5%. Zyrtarisht, numri i të papunëve në Greqi tashmë fiksohet në 1.1 milionë persona.
Më të prekurit janë të rinjtë, të moshës 15 deri në 24 vjeç, ku norma e papunësisë fiksohet në 47.9%, nga 50.6% që ishte gjatë së njëjtës periudhë të një viti më parë. Greqia vijon të ketë normën më të lartë të papunësisë në Eurozonë.
Në krahasim me muajin Shtator të vitit 2013, kur papunësia preku rekordin historik, në 27.9%, progresi duket mjaft i ngadaltë. Aktualisht, Greqia ka një normë papunësie më shumë se dy herë më të lartë se mesatarja e Eurozonës.
Në të 19 vendet e zonës së monedhës së përbashkët europiane, papunësia fiksohet në 9.5%. Ekonomia greke vjen pas një viti në recesion, ndërkohë që projeksionet e qeverisë për vitin aktual flasin për një normë rritje në 2.7%.
Në raportin e sapopublikuar, Komisioni Europian shkurtoi projeksionet e rritjes ekonomike të vendit, në 2.1% nga 2.7% që projektonte më parë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.