Greqia premton arritjen e objektivave – Do të rrisë sufiçitin buxhetor në 3.5% dhe ulë taksat njëkohësisht

Qeveria greke projektoi një rritje ekonomike prej 2.8% në vitin 2020, normë që lejon arritjen e objektivave të sufiçitit primar që ra dakord me kreditorët, ndërkohë që aplikon edhe lehtësime tatimore.
Megjithatë, kreditorët ndërkombëtarë kanë paralajmëruar se kostot e politikave që ka premtuar qeveria e Kyriakos Mitsotakis, pritet të krijojnë një hendek prej 900 milionë euro nga objektivi i sufiçitit primar prej 3.5% të Produktit të Brendshëm Bruto për vitin 2020.
Ministria greke e Financave këmbëngul se objektivi pritet të arrihet dhe sufiçiti në buxhet do të arrijë 3.56% të Produktit të Brendshëm Bruto. Bisedimet mes Greqisë dhe Kreditorëve do të vazhdojnë deri më 15 Tetor, kur vendi së bashku me anëtarët e tjerë të Bashkimit Europian, të dorëzojnë planet e buxheteve për vitin 2020.
Plani i qeverisë për buxhetin siguron hapësirë fiskale për të ulur taksat, nxitur rritjen ekonomike dhe në të njëjtën kohë të mbulojë hendekun fiskal që la qeveria e kaluar, sipas zv/Ministrit të Financave, Theodoros Skylakakis.
Greqia pret të marrë para nga Programi i Tregut të Letrave me Vlerë (SMP), që janë të ardhura nga blerjet e shkuara të obligacioneve qeveritare greke poshtë vlerës së principalit. Komisioni Europian pritet të përfshijë gjithashtu kostot më të ulëta të huamarrjes së Greqisë në analizën e përditësuar të qëndrueshmërisë së borxhit, ç’ka do të krijojë hapësirë fiskale.
Deri sa të ndihme efektet e këtyre, Qeveria ka bërë të ditur se mund të arrijë objektivat duke përmirësuar mbledhjen e taksave, zgjeruar bazën tatimore të vendit si dhe ulur shpenzimet në sektorin publik.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.