Greqia pret Qershorin – Zyrtarët nuk shqetësohen nga mosmarrëveshja e kreditorëve
Zyrtarët e Greqisë nuk reaguan ashpër ndaj dështimi të huadhënësve për të arritur në dakordësi për lehtësimin e borxhit, duke thënë se kanë besim që marrëveshja mund të arrihet në 3 javët e ardhshme.
Kreditorët e Athinës, përfshirë huadhënësit në Eurozonë dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, dështuan të bien dakord pas 8 orësh bisedime në Bruksel, por pritet një marrëveshje në takimin e Qershorit.
FMN dhe vende të tjera të Eurozonës janë në mëdyshje për kohën se kur do të ofrohet lehtësim borxhi ndaj Greqisë. Fondi me seli në Washingon deklaron se nuk do të bashkohet në programin e fundit të shpëtimit të Greqisë nëse nuk ka qartësi mbi çështjen.
Huadhënësit ranë dakord në parim në 2016-ën, për të konsideruar lehtësimin e borxhit, por nuk e kanë specifikuar se si do ta arrijnë këtë. Disa vende europiane, përfshirë Gjermaninë, thonë se lehtësimi i borxhit duhet të konsiderohet për 2018-ën, pasi mund të ndikojë ritmin e reformave ekonomike në Athinë.
Ligjbërësit grekë, miratuan një serë rritjesh të taksave dhe ulje të pensioneve gjatë javës së kaluar.
Që prej krizës në 2010-ën, Greqia ka humbur thuajse ¼-ën e prodhimit kombëtar. Huadhënësit nuk ranë dakord as mbi zhbllokimin e fondeve të reja që Athinës i duhen në mënyrë që të ripaguaj 7.3 miliardë euro kredi që maturojnë në Korrik.
Ndihmat financiare që vendi ka marrë që prej fillimit të krizës në 2010-ën, kanë çuar nivelet e borxhit të vendit në 179% në raport me Produktin e Brendshëm Bruto, një shifër që FMN e kritikon si shumë të lartë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.