Greqia do të lehtësojë kontrollet e kapitalit – Pritet rritja e kufirit të tërheqjes
Qeveria e Greqisë pritet të njoftojë në ditët e ardhshme një lehtësim të mëtejshëm të kontrollit të kapitalit përmes dy masave të reja.
Një nga masat parashikon rritjen e kufirit të tërheqjes nga llogaritë bankare në 2300 euro nga kufiri aktual prej 1800 euro në muaj dhe tjetra do të heqë kufizimet për hapjen e llogarive të reja. Çdo qytetar do të jetë në gjendje të hapë një llogari të re në një bankë, pavarësisht nëse ai tashmë ka një llogari në këtë bankë apo jo.
Sipas njoftimeve të mediave, akti legjislativ është i gatshëm dhe pret nënshkrimin e ministrit të Financave, Euklid Tsakalotos. Ai duhet gjithashtu që të miratohet edhe nga Banka e Greqisë dhe Banka Qendrore Europiane.
Analistët thonë se me lehtësimin e kontrollit të kapitalit qeveria dëshiron të vendosë një ton optimizmi për rrjedhën e ekonomisë dhe një votë besimi në sistemin bankar.
Kontrollet kapitale u futën në Greqi në qershor të vitit 2015, kur qeveria erdhi në përfundim të periudhës së zgjatjes së ndihmës pa arritur marrëveshjen për zgjatje të mëtejshme me kreditorët e saj dhe Banka Qendrore Evropiane vendosi të mos rrisë më tej nivelin e Emergjencës së saj Asistenca e Likuiditetit për bankat greke.
Si rezultat, qeveria greke u detyrua që menjëherë të mbyllë bankat për gati 20 ditë dhe të zbatojë kontrollet mbi transfertat bankare nga bankat greke tek bankat e huaja dhe kufizimet për tërheqjen e parave (vetëm 60 euro në ditë të lejuara), për të shmangur një kolaps të plotë të sistemit bankar grek.
Që kur qeveria e drejtuar nga SYRIZA ra dakord për një paketë të tretë shpëtimi, po bëhet një lehtësim gradual i kontrolleve.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.