Greqia voton Maqedoninë e Veriut në NATO – Protokolli i anëtarësimit merr 153 vota pro, nga 300
Maqedonia e Veriut tashmë nuk ka më asnjë pengesë për t`u bërë pjesë e Aleancës së Atlantikut Verior.
Ashtu siç parashikohej dhe në marrëveshjen e Prespës mes dy vendeve, Parlamenti grek ka aprovuar protokollin që Maqedonia e Veriut të bëhet pjesë e aleancës.
Kjo vjen pas 27 vitesh konflikt të vazhdueshëm mes dy vendeve, si rrjedhojë e emrit të Maqedonisë. Për shkak të konfliktit, prej vitesh, Athina zyrtare kishte vënë veton mbi anëtarësimin e Maqedonisë në Nato.
Ditën e Mërkurë, Nato dhe Maqedonia ratifikuan protokollin mes tyre për t`u bërë anëtari i 30-të i aleancës. Pjesa dërrmuese grekëve ishin kundër marrëveshjes, duke qenë se emri i dakordësuar i fqinjëve përmbante sërish “Maqedoni” brenda.
Edhe mazhoranca parlamentare për aprovimin e protokollit të Maqedonisë në NATO rezultoi tepër e brishtë.
Protokolli u aprovua me vetëm 153 vota pro nga 300. Kreu i opozitës deklaroi se, partia e tij nuk është kundër Maqedonisë në Nato, por se qeveria greke i kishte dhënë Maqedonisë identitet, kombësi dhe gjuhë me marrëveshjen e Prespës.
Tsipras ndërkohë, deklaroi se, qeveria e tij bëri detyrën patriotike.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.