Greqia zbaton planin e emergjencës! Ashpërson masat e karantinës, sistemi shëndetësor në mbi kapacitet
Greqia ka ashpërsuar masat e kufizimit të lëvizjes dhe zgjeruar karantinën në zona të tjera të vendit, për të frenuar përhapjen e pandemisë, pasi rritja e rasteve të reja ka shtuar presionet tek sistemi i kujdesit shëndetësor. Karantina në rajonin e Atikës është zgjatur për 1 javë tjetër deri më 16 mars, pasi infeksionet nuk po tërhiqen. Autoritetet raportuan 2,702 raste ditore në 24 orët e fundit, që është shifra më e lartë e regjistruar këtë vit dhe sipër 2,353 që ishte një ditë më parë. Shumica e rasteve rezultuan në Atika, ku sipas ministrit të Shëndetësisë, Vassilis Kikilias, situata është e jashtëzakonshme.
Ministri tha se nën masat e emergjencës, spitalet Covid në Atika po rrisin njësitë e kujdesit intensiv, ndërsa spitalet jo-Covid po ndërhyjnë duke marrë pacientë që nuk po trajtohen për virusin. Për të shmangur mbipopullimin, udhëtimi me makinë në rrethe të tjera është kufizuar dhe blerjet në supermarkete janë kufizuar në një rreze prej 2 km nga shtëpitë e njerëzve. Zv/Ministri i Mbrojtjtes civile, Nikos Hardalias, tha se mbledhja e njerëzve në shtëpi ka sjellë rritjen e rasteve në javët e fundit.
“Këto fakte kërkojnë vigjilencë dhe kujdes. Edhe pse është bërë e lodhshme, është e nevojshme që të shmangim lëvizjet e panevojshme dhe abuzimet”- tha ai. Dyqanet jo të nevojshme dhe shkollat në Athinë janë mbyllur dhe shumica e punonjësve janë inkurajuar që të punojnë nga shtëpia. Qeveria vlerëson se kosto mujore e karantinës së Covid-19 tek ekonomia pritet në 3 miliardë euro. Rreth 1 milionë grekë, nga popullsia prej mbi 10 milionë, janë vaksinuar deri më tani.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.