Greqia zhvlerëson ekonominë – Qeveria shkurton projeksionet, në 1.8% nga 2.7%

Qeveria helene më në fund ka shkurtuar projeksionet e rritjes ekonomike gjatë vitit aktual, në 1.8%, nga 2.7% që projektonte më parë.
Kjo sprapsje vjen vetëm pak ditë pasi Komisioni Europian shkurtoi projeksionet për Greqinë, me plot 0.6 pikë përqindje.
Gjithsesi, krahu ekzekutiv i Bashkimit Europian duket më optimist se vetë qeveria helene sa i përket ekonomisë së vendit, pasi projekton një rritje në 2.1%.
Zhvlerësimi më i fundit i ekonomisë greke nxitet nga vonesat në rishikimin e fundit të programit të shpëtimit, që zvarritet prej muajsh dhe që po mbajnë të bllokuar financimin e vendit.
Pavarësisht se palët arritën një marrëveshje rreth 10 ditë më parë, pas 6 muajsh negociata, ende nuk janë zhbllokuar paratë, në pritje të parlamentit më 18 Maj dhe eurogrupit më 22 Maj. Në këto dy data, palët do të duhet të aprovojnë marrëveshjen.
Alexis Tsipras do ta ketë mjaft të vështirë që të marrë mbështetjen e ligjbërësve, pasi marrëveshja parashikon një sërë masash të tjera shtrënguese. Nga ana tjetër, në rast se marrëveshja do të kalojë, hapet rruga përfundimisht për lehtësimin e borxhit helen.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.