Gruaja më e pikturuar në histori – E përjetësuar në telajo nga 225 artistë

E lindur në vitin 1900, Suzanne Louise Marie Marion, njohur si Suzy Solidor ishte një artiste franceze, e cila këndonte dhe aktronte në filma. Por, me kalimin e kohës, ajo u bë e njohur si gruaja e cila ishte pikturuar më shumë herë dhe si simbol i emancipimit.
Deri në fund të jetës së saj, në vitin 1983, ishin qindra piktura e portrete të saj, të bëra nga rreth 225 artistë të ndryshëm. Suzy Solidor pozoi për emra të njohur si Pablo Picasso, Jean Cocteau, Francis Bacon, Man Ray dhe Francis Picabia.
Por, ndoshta piktura më e njohur është ajo e realizuar nga artistja polake Tamara de Lempicka në vitin 1933.
Në moshën 30-vjeçare ajo u bë një yll kabaresh pariziene. Personaliteti i saj origjinal dhe antikonformist, por edhe homoseksualiteti i saj i deklaruar, e bënë aq të famshme saqë klubi i natës që hapi pas disa vitesh u bë pikë takimi për shumë artistë të njohur të skenës kulturore franceze. Ajo vetë shkruante libra e këngë, të cilat më pas i recitonte brenda lokalit të saj.
Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore gjërat ndryshuan. Pushtimi gjerman bëri që lokali i saj të frekuentohej nga ushtarët nazistë dhe për këtë arsye ajo u akuzua në fund të luftës për bashkëpunim. Pas vitit 1945, Solidor u transferuar në Amerikë, por vitet e fundit të jetës u kthye për t’i kaluar në jug të Francës, në Cagnes-Sur-Mer.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.