Grumbullimi i duhanit nuk është më monopol – Flet Kreu i Agjencisë së Duhan-Cigareve Gentian Selami

Kreu i Agjencisë së Duhan-Cigareve Gentian Selami shpjegon për “SCAN Magazine” situatën e kultivimit dhe tregtimit të duhanit vendas. Sipas tij, tashmë në tregun e grumbullimit të duhanit nuk ekziston më situatë monopol pasi sot në Shqipëri janë 6 kompani të licencuara për këtë aktivitet. Po ashtu, Selami shpjegon problematikat me të cilat përballet ky sektor si dhe jep detaje për nismën e re ligjore që është përgatitur e që pritet të ketë impakt direkt në zhvillimin e sektorit.
Cila është situata e prodhimit të duhanit në vend, sa kultivues ka në Shqipëri e përafërsisht cila është sasia vjetore që prodhohet në vend?
Shqipëria ka një traditë të hershme të kultivimit të duhanit, kjo për shkak edhe të kushteve klimatike-tokësore të përshtatshme. Në Shqipëri është kultivuar rreth 25 mijë tonë duhan para viteve ‘90 dhe ishte një shtyllë e fortë për ekonominë e vendit. Me ndryshimin e sistemit, kultivimi i duhanit, ashtu si edhe shumë sektorë të tjerë të ekonomisë, u shkatërrua. Gjatë kësaj kohe, tregu ka pasur luhatje të mëdha, jo vetem për shkak të ndryshimit të sistemit, por edhe për shkak të masave që janë marrë për luftën kundër duhanit, por tani situata është drejt stabilizimit. Këto luhatje janë ndjerë akoma më shumë në vende të ndryshme të rajonit dhe të botës që merren me kultivimin e duhanit. Kjo situatë globale dhe politikat e ndjekura kanë sjellë edhe stabilizimin e këtij sektori në vendin tonë. Përveç kushteve klimatiko-tokësore, ne kemi edhe një avantazh tjetër, moshën e ulët të fermerëve duhan-kultivues. Në vendet e tjera të botës, sipërfaqet po bien në mënyrë drastike edhe për faktin se rinia në zonat rurale nuk merret me kultivimin e duhanit. Kjo situatë do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e numrit të fermerëve dhe sipërfaqeve të mbjella me duhan në Shqipëri. Në Shqipëri, aktualisht janë rreth 3.000-4.000 fermerë(3.000-4.000 familje) që merren me kultivimin e duhanit dhe sipërfaqja varion nga 900-1.500 ha me një prodhim prej 1 100 -2 000 tonë në vit. Potenciali, në afatshkurtër është dy herë më i lartë si në sipërfaqe të mbjella edhe në numër fermerësh. Mbi situatën e prodhimit në vend mund të them se problem mbetet akoma informaliteti, pasi 20%-30% e prodhimit është informal. Për këtë situatë shkak është bërë se ndër vite në tregun shqiptar ka operuar vetëm një kompani grumbulluese dhe fermerët nuk kanë pasur mundësi tregtimi. Gjithsesi, ky fakt nuk i legjitimon fermerët pasi duhani mund të kultivohet vetëm duke pasur një kontratë me një kompani grumbulluese. Në këtë drejtim është përqendruar edhe puna më e madhe e Ministrisë së Bujqësisë dhe e Agjencisë Kombëtare të Duhan-Cigareve dhe sot nuk ekziston më situatë monopol në tregun e duhanit. Sot në Shqipëri janë 6 kompani të licencuara për këtë aktivitet, 3 nga të cilat kanë kapacitete grumbullim-përpunimi deri në 2000 tonë/vit secila dhe 3 të tjerat janë më të vogla (lokale). Pra, sot nuk mund të flitet më për monopol, po ashtu edhe për mungesë tregu.
Ju përmendët pak më sipër disa ndryshime që kanë ndodhur e që i kanë dhënë zgjidhje disa problematikave të konstatuara me grumbullimin. Po me prodhimin e duhanit në çfarë ka ndodhur, cila ka qenë tendenca e viteve të fundit? Kemi rritje apo ulje të prodhimit dhe a ka ndryshime në varietetin që kultivohet?
Pasojat që ka sjellë lufta kundër duhanit janë ndjerë edhe në vendin tonë dhe vitet e fundit prodhimi i duhanit në vend ka ardhur me një rënie të lehtë. Siç thashë edhe më parë, situata e duhanit në vend ka pasur shumë luhatje. Dhe kjo situatë nuk është vetëm në Shqipëri, por në të gjitha vendet e botës ku kultivohet duhan. Kjo rënie globale e prodhimit vjen për shkak të masave për luftën kundër duhanit. Pasojat që ka sjellë lufta kundër duhanit është ndjerë edhe në Shqipëri për arsye të ndryshme.
Me ndryshimet që kanë ndodhur në tregun global, kompanitë grumbulluese janë të interesuara për varietete të ndryshme nga ato që janë kultivuar ndër vite në vendin tonë. Gjithsesi, edhe këto varietete të reja janë shumë të përshtatshme me kushtet klimatiko-tokësore në Shqipëri. Tendenca vitet e fundit ka shkuar te varietete që kanë rendiment më të ulët, por kanë vlerë tregtare më të lartë dhe për këtë arsye, vitet e fundit, sasia e prodhuar ka pasur një rënie të lehtë. Psh. varieteti më i përhapur sivjet në Shqipëri, por edhe më i kërkuari nga kompanitë grumbulluese është varieteti “IZMIR” dhe është grumbulluar me çmim mesatar 420-430 kg në krahasim me varietet që janë kultivuar më herët ku çmimi ka qenë 150-190 kg. Mjafton të shikojmë kronikat e 2-3 viteve më parë, ku ankesat e fermerëve ishin vetëm në drejtim të çmimit për kilogram. Ndër vitet e fundit, viti 2013 ka pasur rritjen më të madhe, si në numër fermerësh, ashtu edhe në sipërfaqen e kultivuar dhe gradualisht ka ardhur me rënie deri në vitin 2016. Këtë vit parashikohet të kemi një dyfishim të numrit të fermerëve dhe të sipërfaqes së kultivuar. Këtë situatë përmirësimi e kanë ndjerë edhe fermeret dhe kjo është arsyeja që kanë shtuar sipërfaqet e kultivuara me duhan.
Cili është impakti që ka në punësim e në sigurimin e të ardhurave ky aktivitet?
Siç e thashë edhe më parë, janë rreth 3000-4000 fermerë që merren me kultivimin e duhanit. Duhani është një kulturë që kërkon shumë punë, aq sa thonë “viti ka 12 muaj, duhani kërkon punë 13 muaj”. Pra, do të thotë që ka rreth 3000-4000 familje me nga 3-4 vetë në familje, janë rreth 9000-15000 njerëz që ushqehen me kultivimin e kësaj kulture. Po të marrim parasysh edhe rritjen e sivjetshme, do të thotë që në këtë sektor do të vetëpunësohen më shumë se 20.000 njerëz.
Si funksionon tregu? Çfarë ndodh me prodhimin e fermerëve, ku shkon ai?
Në bazë të legjislacionit shqiptar, por edhe të vendeve të tjera, duhani kultivohet vetem me kontratë me një grumbullues-përpunues të licencuar. Fazat në cilat kalon prodhimi, përpunimi industrial dhe prodhimi i produkteve të duhanit janë 3. Faza 1-Fermeri, faza 2- Grumbullues-përpunuesi dhe faza 3- Prodhuesi i produkteve të duhanit. I gjithë ky proces është i kontraktuar dhe i sigurt. Pra, fermeri lidh kontratë me grumbullues-përpunuesin për kultivimin e duhanit dhe ky ka detyrimin ta blejë gjithë sasinë e duhanit të kontraktuar, Grumbullues-përpunuesi pasi bën përpunimin industrial të duhanit të grumbulluar ia shet prodhuesit të produkteve të duhanit (cigare, duhan i grirë) dhe pas këtij procesi del produkti final për treg. Është shumë e rëndësishme që të gjithë këta duhet të jenë të njohur nga shteti për aktivitetet që kryejnë, që do të thotë që fermeri të jetë i pajisur me NIPT ndërsa grumbullues-përpunuesi dhe prodhuesi i produkteve të duhanit të jenë të pajisur me licencë. Them shumë e rëndësishme, pasi në rast se njëri nga këta është i paligjshëm gjithë zinxhiri prishet dhe asgjë nuk është më e sigurt. Në këtë aspekt them me bindje se duhani është kultura me tregun më të sigurt”
Cilat janë problematikat që janë hasur vitet e fundit dhe a ka nevojë për përmirësime ligjore për rregullimin e problematikave të konstatuara?
Të them të drejtën, problematikat gjatë këtij viti që unë jam në drejtimin e këtij institucioni kanë qenë shumë. Kjo për shkak se për shumë kohë në treg ka qenë vetëm një kompani grumbulluese dhe legjislacioni që rregullon këtë fushë është i vitit 2000 dhe nuk ka pasur amendime ndër vite që t’i vijnë në ndihmë marrëdhënies fermer-grumbullues. Problemet konsistonin në: grumbullimin e duhanit në kohë të vonë dhe fermerët nuk kanë kushte të përshtatshme për ta ruajtur gjatë; grumbullimi bëhej jashtë standardit shtetëror në fuqi, vonesa në pagesë; në vlerësimin e duhanit, pasi bëhej vetëm nga fermerët dhe grumbulluesi dhe fermerët nuk kanë pasur mundësi ankimi,etj.
E gjithë kjo situatë e krijuar ka ardhur për shkak se ndër vite politikat nuk kanë pasur prioritet duhanin. Ministria e Bujqësisë dhe AKDC ka bërë përpjekje maksimale në këtë drejtim dhe janë marrë seriozisht me këtë punë duke e kthyer në prioritet mbështetjen konkrete për fermerët duhan-kultivues.
Konkretisht:
Afrimin e kompanive të tjera grumbullues-përpunuese në tregun shqiptar. Për herë të parë pas shumë vitesh nuk është më problem tregu për fermerët, por me kë kompani të lidhin kontratë. Shtimi i kompanive grumbulluese është hapi më i rëndësishëm pasi shton konkurencën ndërmjet kompanive dhe rrit çmimin për kilogram, që do të thotë më shumë të ardhura për fermerët.
-Ka rreth 1 vit që ka ndërmarrë iniciativën për amendimin e ligjit që rregullon këtë fushë duke e përshtatur me kushtet e kohës dhe duke vendosur themele të forta për rregullimin e marrëdhënieve midis fermerëve dhe grumbulluesve. Të gjitha këto problematika janë pasqyruar në ligjin e ri. Duke filluar nga afatet për grumbullimin e duhanit, nga respektimi i standardit shtetëror, pagesa është vënë kusht jo më vonë se 30 ditë, vlerësimi i duhanit do të bëhet në prezencë të një vlerësuesi shtetëror dhe në rast ankimi do të rivlerësohet nga një komision i miratuar nga Ministri etj. Pra, gjykojmë se përmirësimet ligjore janë shumë të rëndësishme pasi janë shkaku i gjithë këtyre problemeve dhe themelet për rregullimin e kësaj fushe”.
Veç zgjidhjes së problematikave të konstatuara, çfarë sjell të re projektligji i ri që ju keni hartuar?
Në morinë e ndryshimeve që Ministria e Bujqësisë dhe AKDC gjykon të rëndësishme për rregullimin e prodhimit, tregtimit dhe formalizimit të tregut të duhanit në Shqipëri është edhe mbështetja e fermereve duke iu ulur kostot e prodhimit. Për këtë çështje nuk mjafton vetëm vullneti i MBZHRAU, por edhe i faktorëve të tjerë pasi ka efekte financiare. Nuk dua të zgjatem më shumë në këtë pikë pasi ne do ta shpalosim vetëm pasi ta realizojmë dhe të marrim aprovimin e institucioneve të tjera të përfshira. Por mund të them që mbështetja e fermerëve nuk do të ndikojë vetëm në rritjen e prodhimit vendas dhe shtimin e të ardhurave për familjet duhan-kultivuese, por do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në buxhetin e shtetit. Nga informaliteti në fushën e duhanit shteti humbet rreth 50 milionë euro (ndoshta edhe më shumë). Ose më saktë, nëse gjithë prodhimi i duhanit në vend do të formalizohej, të ardhurat që derdhen në buxhetin e shtetit arrijnë rreth 50 milionë euro. Që ne të formalizojmë këtë treg dhe këta fermerë duhet të japim diçka që t’i drejtojmë të kompanitë grumbulluese dhe të mos e tregtojnë më duhanin në mënyrë informale. Tregtimi në mënyrë informale sjell pasoja të rënda për të dyja palët si për fermerët edhe për shtetin.
A mund të konsiderohet një alternativë, investimi në prodhimin e duhanit në Shqipëri, në kushtet kur për këtë aktivitet bujqësor nevojiten sipërfaqe toke që nuk janë të përshtatshme për veprimtari të tjera bujqësore…?
Duhani si kulturë bujqësore është shumë rentabël. Të ardhurat nga duhani janë 3-4 herë më shumë se kulturat e tjera bujqësore. Tokat dhe kushtet klimatike janë shumë të përshtatshme, sidomos në zonat e Dumresë dhe Shkodra. Padyshim që ky treg ka pasur luhatje ashtu si edhe kushtet ekonomike e sociale të vendit, por them me bindje se ndryshimi do të ndihet që këtë vit. Të them të drejtën në lidhje me kultivimin e duhanit nuk kemi nevoja se fermerët tanë janë shumë të aftë për ta bërë këtë dhe kanë traditë të hershme, por kemi shumë nevojë për firma grumbulluese dhe prodhues të produkteve të duhanit që të kthejmë atë traditë që kemi pasur duke realizuar ciklin e mbyllur këtu.
Kreshnik KUÇAJ/SCAN MAGAZINE
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.