Gruri arrin nivelet më të larta të 14 viteve pasi konflikti Rusi-Ukrainë frenon furnizimin!

Kontratat e së ardhmes së grurit në Çikago u rritën me më shumë se 6% të hënën në nivelet më të larta të 14 viteve me shqetësimin se furnizimet globale do të ndërpriten derisa të zgjidhet konflikti Rusi-Ukrainë.
Rusia dhe Ukraina së bashku përbëjnë rreth 29% të eksporteve globale të grurit, si dhe 19% të eksporteve të misrit. Që kur Rusia nisi fushatën që ajo e quan një “operacion special ushtarak” më 24 shkurt, tregjet e mallrave janë rritur.
Tregu i grurit u rrit mbi 40% javën e kaluar, rritja e tij më e madhe javore në rekord, dhe të hënën arriti më të lartën që nga marsi 2008 me 12.60-1/4 dollarë për bushel. Gruri më aktiv i Bordit të Tregtisë së Çikagos u rrit 6.6% në 12.53-1/4 dollarë për bushel në 0927 GMT.
Misri të hënën u rrit me 2.7% në 7.75-1/4 dollarë për bushel, kokrrat e sojës u rritën 2.1% në 16.95-1/2 dollarë për bushel. Misri dhe soja janë rreth nivelit më të lartë që nga shtatori 2012.
Rusia dhe Ukraina sigurojnë gjithashtu 80% të eksporteve botërore të vajit të lulediellit, i cili konkurron me sojën. Portet e Ukrainës mbeten të mbyllura dhe tregtarët hezitojnë të tregtojnë grurin rus pas sanksioneve perëndimore, kështu që blerësit po kërkojnë furnizues alternativë.
Kërkesa për eksport për grurin e Bashkimit Europian u rrit javën e kaluar dhe pritet të vazhdojë të rritet. Qeveria e Bullgarisë tha se do të zgjerojë rezervat e grurit, ndërsa prodhuesit i druhen një ndalimi eksporti.
Tashmë, Hungaria ka ndaluar të gjitha eksportet e drithërave me efekt të menjëhershëm për shkak të rritjes së çmimeve. Importuesi i madh i grurit Algjeria shpalli të dielën një tender ndërkombëtar për të blerë grurë mulliri. RTS
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.