Gruri dhe misri, më lirë në tregjet ndërkombëtare – Tregtarët mbyllin pozicionet në bursë përpara raportit në SHBA për mbjelljet

Çmimi i grurit në bursën e Chicagos pësoi rënie në nisje të Javës, ndërkohë që tregtarët mbyllën pozicionet, përpara një raporti me rëndësi në SHBA mbi mbjelljet, që pritet më vonë gjatë Javës.
Kontrata më aktive e grurit në bursën e lëndëve të para në Chicago, ra me 2.45% në 10.65 dollarë për shinik, ndërsa misri ra me 1.23% në 7.44 dollarë.
Rënia e sojës ishte më e vogël, në 0.7%, dhe u tregtua në 16.98 dollarë.
Analistët thonë se ndikimi i konfliktit Ukrainë-Rusi tek produktet bujqësore po procesohet gradualisht nga tregu, ndërkohë që blerësit mund të kthehen dhe tek India për burime të grurit.
Gruri u rrit në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave në fillim të muajit, prej shqetësimeve mbi furnizimet nga Deti i Zi, pasi Rusia sulmoi Ukrainën. Megjithatë, tregu po përpiqet të gjejë burime të tjera si BE dhe India, për të zëvendësuar furnizimet e humbura nga rajoni.
Megjithatë, çmimi i grurit pritet të ketë mbështetje deri sa të përfundojë lufta, sipas tregtarëve në Azi.
Raporti i Departamentit Amerikan të Bujqësisë, që do të publikohet ditën e Enjte, pritet të tregojë se fermerët planifikojnë të reduktojnë mbjelljen e misrit me 1.5% krahasuar me bitin 2021, ndërkohë që mbjellja e Sojës pritet të rritet me 1.8%.
Rënia e sojës në bursë ishte e limituar prej shenjave të kërkesës së fortë për furnizimet amerikane.
Lëndët e para u ndikuan gjithashtu negativisht nga rivendosja e masave të karantinës në Shangai, që pritet të godasë aktivitetin botëror.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.