Gruri “rimëkëmbet” në tregtinë e së Hënës – Çmimet mbështeten prej shqetësimeve mbi furnizimin nga Deti i Zi!

Çmimi ndërkombëtar i grurit është rritur në tregëtinë e parë të javës, në nivelin më të lartë dyjavor, pasi vlerësimi i fundit i qeverisë amerikane për ofertën dhe kërkesën globale tregoi ndikimin e krizës së Ukrainës në dërgesat e Detit të Zi. Kontrata më aktive e grurit në bursën e lëndëve të para të Chicagos u rrit 1,7% në 10,75 dollarë për shinik, në nisje të tregëtisë., duke shënuar rritjen më të lartë që nga 28 Marsi.
Departamenti i Bujqësisë i Shteteve të Bashkuara në vlerësimin e tij mujor të ofertës dhe kërkesës, uli rezervat përfundimtare globale me 3.09 milion ton në 278.42 milion ton. Çmimet e grurit janë ndikuar veçanërisht nga konflikti Rusi-Ukrainë që ka ndërprerë dërgesat në Detin e Zi. Gati 50 vende varen nga Rusia dhe Ukraina për të paktën 30% të nevojave të tyre për import të grurit, sipas Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë .
Rritja e kostos së plehrave, pasi eksportuesi kryesor Rusia përballet me një sërë sanksionesh perëndimore pas pushtimit në Ukrainë, ka shtuar pasiguri për rendimentin e të korrave. Kostot e larta mund të çojnë në përdorim më të ulët të plehrave në sezonin e ardhshëm dhe ndoshta më tej, me perspektivën reale të produktivitetit më të ulët të ushqimit që rezulton në çmime edhe më të larta, deklaron Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë.
Mes furnizimit të ulët dhe çmimeve të larta, Kazakistani ka vendosur të kufizojë eksportet e grurit dhe miellit nga 15 prilli deri më 15 qershor, deklaron ministria e bujqësisë e vendit. Soja ra me 0.4% në 16.82 dollarë për shinik pasi arritën 16.97 dollarë në tregtinë e javës së kaluar, më e larta që nga 28 marsi, ndërsa misri u rrit 0,5% në 7,72 dollarë për shinik.
Blerta Lata / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.