Guvernatori pret BERZH, Sejko: Të zhvillohet më tej tregu i kapitalit në vend

Situata e sistemit bankar, tregjet e kapitalit, masat e marra për uljen e kredive me probleme dhe rritja e financimit të ekonomisë ishin disa nga çështjet e diskutimit në takimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Gent Sejko dhe përfaqësuesve të Bordit të Drejtorëve të BERZH.
Guvernatori Sejko nënvizoi se trajtimi i këtyre çështjeve ka qenë një ndër angazhimet kryesore të Bankës së Shqipërisë, e cila ka marrë masa në vazhdimësi, duke përfshirë një sërë përmirësimesh ligjore dhe rregullatorë.
Këto masa kanë dhënë efektet e tyre graduale dhe të qëndrueshme, të cilat pritet të vazhdojnë edhe në të ardhmen e afërt. Për kreun e Bankës së Shqipërisë është e rëndësishme që të kemi një zhvillim të mëtejshëm të tregjeve të kapitalit duke e zgjeruar sistemin financiar por paralelisht me këtë duhet të kemi edhe një përafrim me direktivat ndërkombëtare.
Për Bankën e Shqipërisë është e rëndësishme që me zhvillimin e tregjeve të kapitalit të kemi edhe një rritje të ndërgjegjësimit dhe edukimit financiar të qytetarëve.
Përfaqësuesit e Bordit të Drejtorëve të BERZH vlerësuan punën e Bankës së Shqipërisë dhe nënvizuan se Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim do të vijojë të japë kontribut përmes projekteve të rëndësishme të lidhura me stabilitetin financiar, energjinë, dhe agrobiznesin.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.