Guvernatori Sejko në SCAN: BSH dhe qeveria shqiptare duhet të vazhdojnë reformat (VIDEO)

Pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve dhe fitores së Partisë Socialiste, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka folur për emisionin “Argument” në Televizionin SCAN, mbi domosdoshmërinë e vazhdimit të reformave strukturore.
“Ne normalisht kemi ndjekur një plan reformash me kryeministrin Rama, të cilin përfitoj nga rasti ta uroj për fitoren edhe në emisionin tuaj. Janë ndjekur një sërë reformash, sigurisht që rritja ekonomike që ne kemi pasur nuk ka rënë nga qielli, por është si pasojë e këtyre reformave, është pasojë e faktorëve të jashtëm dhe kryesisht pasojë e reformave të ndërmarra. Rezultati i fundit zgjedhor është një siguri më tej për vazhdimin e këtyre reformave. Këto reforma do të duhet të vazhdojnë. Shpesh herë Banka e Shqipërisë, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë dhe unë në emër të Këshillit Mbikëqyrës kemi bërë thirrje për vazhdimin e reformave strukturore. Reformat strukturore përbëjnë një gamë të gjerë aktorësh. Qeveria ka një rol kryesor, por të gjithë faktorët e tjerë, sistemi ligjor, sistemi financiar, qeveria dhe parlamenti kanë rol në performancën e reformave strukturore”.
Teksa ka uruar kryeministrin, Edi Rama, për fitoren në zgjedhjet parlamentare, Sejko ka vlerësuar reformat e ndërmarra në 4-vjeçarin e fundit, për të rritur ekonominë dhe mirëqenien, si dhe ka shprehur gatishmërinë e Bankës së Shqipërisë për të realizuar me vendosmëri objektivat e stabilitetit financiar dhe fuqizimin e zhvillimit të vendit.
“Rezultati i fundit na jep konfidencë të mëtejshme që reforma strukturore do të vazhdojnë. Rritja ekonomike dhe performanca do të vazhdojë gjithmonë e më tej, pra jemi konfident që vazhdimi i reformave strukturore do të jetë në drejtimin e duhur dhe me një performancë pozitive, madje mund të parashikojmë që do të ketë një përshpejtim në ritmet e rritjes. Unë angazhohem në emër të Bankës Qendrore që do të vazhdojmë me reformat tona në drejtim të stabilitetit të çmimeve, rritjes së nivelit të inflacionit prej 3 për qind në afatin e duhur, por edhe të ruajtjes së nivelit të stabilitetit financiar. Harmonizimi i politikave, i strategjive tona si Bankë Qendrore, bashkë me politikat dhe strategjitë e qeverisë shqiptare do të sjellim një performancë më të mirë dhe do të ketë një ndikim më të madh në nivelin e rritjes ekonomike, si dhe në nivelin e rritjes së mirëqenies së qytetarëve shqiptarë”, tha Sejko.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.