Hahn-Rama: Të nisë puna – “Nuk ka pushime verore, 12 muaj mjaft intensivë”
Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësinë e Mirë Johannes Hahn dhe Kryeministri shqiptar, në një dalje për mediat nga Brukseli deklaruan se puna për të çuar përpara rekomandimet e Këshillit të Bashkimit Europian do të fillojë menjëherë. Për këtë arsye, Komisionieri do të zbresë në Tiranë të Martën që vjen.
“Ne jemi në fillim dhe unë do të jem në Tiranë të Martën për të nisur punën përgatitore. Kjo është një punë sfiduese ku ne duhet të shohim dhe vlerësojmë punën e bërë në këto 35 kapitujt e famshëm. Ky është një detyrim që duhet kryer. Në varësi të punës sonë do të ecin dhe negociatat. Ekipet tona duhet të fillojnë punën menjëherë, edhe përpara pushimeve të verës”, tha Hahn.
“Unë jam shumë i lumtur që do të vizitosh të Martën Tiranën për të nisur praktikisht këto 12 muaj pune mjaft intensive për të qenë të gatshëm tërësisht kur negociatat të fillojnë formalisht dhe për të fituar më shumë kohë duke u përgatitur më mirë”, u shpreh Rama.
Komisioneri dhe Kryeministri shqiptar i janë përgjigjur edhe pyetjeve të gazetarëve në lidhje me marrëveshjen e shumëpërfolur mes Tiranës dhe Athinës. Kryeministri Rama u shpreh se, është bërë shumë progres në këtë drejtim.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.