BE i hap luftë parajsave fiskale pas “Paradise Papers” – Të hartohet lista e zezë dhe sanksionet përkatëse

Ditët e parajsave janë të numëruara për ata që kërkojnë strehim nga detyrimet tatimore nëpër ishuj të largët. Ministrat e financave të vendeve të Bashkimit Europian janë zotuar të marrin masa pas rrjedhjes së fundit të informacionit, e cila zbuloi edhe kompani nga më të mëdhatë në botë.
“Ne do t’i ekzaminojmë dokumentet e reja dhe do të diskutojmë pasojat që kjo ka për legjislacionin e ardhshëm europian. Ne do t’i shikojmë me shumë kujdes”, u shpreh Peter Altmaier, Ministri i përkohshëm i Financave në Gjermani gjatë takimit me homologët e tij.
Të dhënat e reja tregojnë për një firmë ligjore offshore, e cila zbuloi se si individët e pasur apo korporatat e investitorët mund të ketë shmangur taksat. Zbulimi i “Paradise Papers” vjen vetëm një vit pas “Panama Papers”, e cila hodhi dritë mbi një sërë llogarish offshore dhe mënyrave të evazionit fiskal.
Në letrat e reja është e përfshirë edhe Apple Inc., e cila është përballur në të shkuarën me Komisionin Europian mbi taksat. Sipas BBC, prodhuesi i telefonave zhvendosi një pjesë të madhe të rezervave cash të pataksuara në Channel Island të Jersey-t pas një përballjeje në vitin 2013 me sistemin e taksimit irlandez.
“Paradise Papers vendosi një theks të ri në punën që Komisioni Europian po bën për të luftuar shmangien e taksave”, tha Valdis Dombrovskis, zëvendëspresidenti i KE.
Kjo deklaratë u mbështet edhe nga Margrethe Vestager, shefja e anti-trustit, e cila u shpreh se “rrjedhjet mundësojnë punën kundër shmangjes së taksave, për transparencë”.
Bashkimi Europian po punon për të finalizuar një listë të zezë të vendeve që nuk tregohen bashkëpunuese në fushën e taksave. Edhe pse çështja ishte vendosur për diskutim në mbledhjen e Dhjetorit, pas zbulimeve të fundit ajo u vendos në axhendë.
“Një listë e zezë është gjithmonë një ushtrim i vështirë”, tha Ministri i Financave i Luksemburgut, Pierre Gramegna. “Është një iniciativë e BE për të cilën duhet të biem të gjithë dakord dhe ta mbështesim”, shtoi ai.
Një listë e tillë do të përcaktonte të gjithë vendet që mund të cilësohen si parajsa fiskale. Blloku europian shpreson se ajo do të mund të nxiste vendet të bëhen bashkëpunuese në mënyrë që të evitojnë “diskriminimin”. Megjithëse, edhe nëse vendet vazhdojnë të mos bashkëpunojnë, BE shpreson të mund të vendosë edhe sanksione të besueshme.
“Nëse një oaz taksash mbyllesh, një tjetër hapet. Ne duhet të forcojmë masat dhe ata që nuk marrin pjesë në rregullat e OECD, qoftë përmes shkëmbimit të informacionit apo përmes masave të tjera, duhet të vendoset automatikisht në një listë të zezë në mënyrë që të gjithë të bëhemi të gatshëm të mbyllim këto vrima të zeza për taksat”, tha Ministri austriak i Financave, Hans Joerg Schelling.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.