Hapen zyrat e reja të Njësisë 8 – Veliaj: Banorë regjistroni vendbanimin për të përfituar më shumë investime
Banorët e njësisë numër 8 tashmë kanë zyra të reja ku mund të marrin shërbimet pranë zonës ku jetojnë .Gjatë përurimit , kreu i bashkisë Erion Veliaj ftoi të gjithë qytetarët që janë pjesë e kësaj njësie, por që nuk janë të regjistruar aty, të bëjnë zhvendosjen e vendbanimit të tyre, duke përfituar edhe nga amnistia e vendosur nga qeveria për transferimin e gjendjes civile. Kjo procedurë, tha Veliaj, është shumë e rëndësishme në mënyrë që edhe fondet e buxhetit për vitin 2019 të ndahen sipas numrit të banorëve për çdo njësi.
“Dua t’i ftoj të gjithë banorët të regjistrohen në këtë njësi, jo vetëm banorët e Njësisë 8, pjesa e vjetër e Tiranës, por edhe ata të pjesës së re që vazhdon deri te Bregu i Lumit. Është e rëndësishme që të dimë saktësisht sa banorë ka secila njësi, që edhe fondet t’i japim në përpjesëtim të drejtë me numrin e banorëve. Ndaj, ftesa për të gjithë banorët, jo vetëm këtu në Njësinë 8, ku kemi një hapësirë mbi 500 metra katrorë, ku çdo gjë bëhet lirshëm, pa u shtyrë nëpër kangjella, pa pritur në radhë, me një shërbim dhe mjedis të kulturuar, por edhe në njësitë e tjera 12, 13, dhe 14, respektivisht te Fresku, te Kopshti Botanik dhe zona e Unazës së Re, të regjistrohen aty. Sa më të saktë ta kemi listën e banorëve, aq më të shumta do të jenë fondet”, u shpreh ai.
Veliaj risolli në vëmendje investimet e bëra në këtë njësi në tre vitet e para të mandatit duke e quajtur dhe këtë të fundit një premtim të mbajtur
“Ende pa mbyllur mandatin kemi arritur të mbajmë të gjitha premtimet që janë dhënë për këtë njësi, duke filluar nga Pazari deri tek biblioteka, shkollat, kopshtet, çerdhet dhe në fund fare qershia mbi tortë, njësia administrative m’u në zemër të njësisë”, tha Veliaj.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.