“Hapësira zero”, Tirana çel dyert në Bienalen e Arkitekturës në Venecia
Tirana u hapi dyert të gjithë artdashësve në Edicionin e 16-të të Bienales së Arkitekturës në Venecia. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, të shoqëruar nga Ambasadorja e Shqipërisë në Itali, Anila Bitri, prezantuan projektin “Hapësira zero”, i cili përfaqëson vendin tonë në këtë bienale, e ku paraqitet një pjesë e mjedisit urban, historisë dhe traditës së Tiranës, përmes portave të vjetra të marra nga banesat e kryeqytetit, si element për të shpjeguar hapësirën ku bashkëjetojnë e vjetra dhe modernia.
Kryebashkiaku Veliaj tha se ky ekspozim është edhe përshkrim i punës së Bashkisë së Tiranës, tregues se kryeqyteti i ka dyert e hapura për miqtë. Duke e cilësuar si një qytet origjinal, ai shtoi se Tirana po zë vend edhe në mediat më të njohura në botë si prestigjiozja “Lonely Planet”, që e rekomandoi Tiranën si një nga dhjetë vendet që duhen vizituar këtë vit.
“U ndjeva shumë krenar këtë javë në Tiranë. Tirana ishte një nga dhjetë vendet e rekomanduara nga “Lonely Planet” për t’u vizituar në vitin 2018. Ky projekt artistik është një antipastë e çfarë mund të presësh nga Tirana. Tirana sigurisht që nuk ka luksin, historinë apo trashëgiminë që mund të ketë Italia e Rilindjes dhe e epokave të lavdishme të së shkuarës, por është padyshim origjinale. Besoj që kjo eksperiencë origjinale e ka koncentratin e vet në këtë pavijon”, tha Veliaj.
Ministrja Kumbaro vuri theksin mbi rëndësinë që ka ky projekt për Shqipërinë, ndërsa Veliaj shprehu vlerësimet edhe për pavijonin e Kosovës, i cili është kuruar me kujdes duke treguar sakrificat dhe transformimin në kohët më të vështira.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.