Hapet ankandi për parqe eolike – Balluku: Çmimi tavan, 75 euro/MW, qeveria do blejë energjinë për 100 MW
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hapur ankandin hybrid për ndërtimin e parqeve të prodhimit të energjisë nga era. Sipas ministres Belinda Balluku çmimi tavan do të jetë 75 euro/MW, ndërsa do të mbështeten me marrëveshje për blerjen e energjisë, projekte me një total prej 100 MW.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hapur ankandin hybrid për ndërtimin e parqeve të prodhimit të energjisë nga era. Kjo është një formë, që nuk është aplikuar deri më tani e që nënkupton se shteti nuk do të angazhohet me vendosjen e tokës në dispozicion të investitorëve, por do jenë këta të fundit që do të ofrojnë të gjithë paketën e investimit, duke nisur nga toka, investimi financiar e deri tek operimi. Gjatë ceremonisë për hapjen e ankandit, ministrja Belinda Balluku tha se çmimi tavan do të jetë 75 euro/MË, ndërsa MIE do të përzgjedhë për të mbështetur me marrëveshje për blerjen e energjisë, projekte me një total prej 100 MË.
Balluku tha gjithashtu se vlerësimi i propozimeve do të bëhet në 2 faza, teksa faza e parë që do të vlerësojë kriteret teknike të kompanive, do të zgjatë 1 vit.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi hapjen e këtij ankandi si një proces në përmbushje të ambicies për ta kthyer Shqipërinë në një eksportues neto të energjisë elektrike dhe eksportues të një energjie të gjelbër. Ndërkaq, në dispozicion të investitorëve të interesuar është edhe një studim, i cili saktëson zonat ku është e ndaluar për t’u zhvilluar këto projekte, si dhe zonat me fizibilitet më të lartë, ku përfshihet 20% e territorit.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.