Hapet gara/Koncesion për port jahtesh pranë Kepit të Rodonit. Kohëzgjatja 35 vite

Ministria e Infrastrukturës ka shpallur tenderin për dhënien me koncesion Partneritet Publik/Privat të portit të jahteve pranë Kepin e Rodonit. Forma e kontratës është B.O.T (Ndërtim – Operim – Transferim) ndërsa burimi i financimit është investim privat. Kohëzgjatja e koncesionit është 35 vjet. Ofertat duhet të dorëzohen në faqen e internetit të APP-së: www.app.gov.al. brenda datës 6.09.2019, ora: 14.00.
Porti është projektuar të ndërtohet në vijën bregdetare jugore të Gjirit të Drinit, rreth 7 kilometra larg Kepit te Rodonit.
“Porti i jahteve “Marina Rodon” është parashikuar të ndërtohet në bregun lindor të Adriatikut të Jugut, në Gjirin e Rodonit i cili bën pjesë ne Gjirin e Drinit si njësia fiziografike me e madhe e bregdetit shqiptar. Përgjatë vijës bregdetare të kësaj Njësie, rreth 83 km e gjatë, që kufizohet në veri me Kepin Mendre (Ulqin) dhe ne jug me Kepin e Rodonit, ndodhen edhe grykëderdhjet e lumenjve Drin i Lezhës, Mat e Ishem si dhe lagunat e Vilunit, Kune-Vainit e Patogut.
Pozicioni i propozuar ka thellësi të favorshme për strehimin e mjeteve lundruese me zhytje deri 5,5 metra. Porti do të ndërtohet krejtësisht i mbrojtur nga erërat dhe deti, duke krijuar një mbrojtje me anë të ndërtimit të dallgëpritëseve përkatëse dhe duke zbatuar standarde e norma me të cilat ndërtohen dhe shfrytëzohen aktualisht portet në Evropë dhe në vende të tjera të zhvilluara.
Vendi i përzgjedhur kërkon ndërtimin e infrastrukturës përkatëse për zhvillimin e aktivitetit, ku përfshihet lidhja me rrjetin ekzistues rrugor me një gjatësi rreth 1,5 km, rrjeti furnizimit me energji elektrike, ujë, kanalizime” shkruhet në dokumentet e tenderit, raporton SCAN.
Projekti i Portit duhet të parashikojë infrastrukturën operacionale bazë si më poshtë:
-Qëndrim të përhershëm dhe të përkohshëm (stinor, mujor, ditor) të mjeteve lundruese në port me shërbim ruajtje 24/24 orë.
-Vend parkimi në tokë apo në vende të mbuluara per mjete lundruese
-Sherbime mekanike, elektrike dhe marangozi
-Vinç (travel lift) per futjen ne uje dhe nxjerrjen ne toke te mjeteve lundruese me peshë relativisht të madhe.
-Sisteme të përshtatshme të ankorimit në vartesi të pozicionit dhe hapësirës.
-Sistemet e sigurisë së jetës së njerëzve.
-Sigurinë portuale në përputhje me kriteret e Kodit ISPS dhe ligjit Nr. 168/2013 “Përsigurinë në Anije dhe Porte”.
-Monitorim me CCTV te kufirit ndares me portin e ri te peshkimit ne perputhje me kriteret e Kodit ISPS dhe ligjit Nr. 168/2013 “Për sigurinë në Anije dhe Porte”.
-Sistemet dhe strukturat e parandalimit të ndotjeve detare përfshi anijet teknologjike, kordon lundrues, absorbent dhe personelin përkatës.
-Të plotësojë kërkesat e “Kodit të Gjelbër” (Kode për këshillime praktike për trajtimin mjedisor të bregdetit).
-Të plotësojë kërkesat e Konventes Ndërkombëtare për Parandalimin e Ndotjes Detarenga Anijet (MARPOL 73/78).
-Të plotësojë kushtet e specifikuara në Kodin Detar të Republikës së Shqipërisë dhe Konventave Ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë.
Projekti i portit duhet të përfshijë gjithashtu superstrukturën bazë si më poshtë:
-Rikonstruksionin e rrugës
-Shtrimin dhe nivelim
-Ndriçimin e terminalit dhe te portit
-Sistemin e administrimit.
-Punimet civile
-Rezidencat përkatëse.
-Zyrat që do t’i shërbejnë konçesionarit si dhe ato që do t’u vendosen në dispozicion pa pagesë autoriteteve shtetërore për kryerjen e aktiviteteve të tyre funksionale si psh. dogana, policia kufitare, kapiteneria, inspektori sanitar etj.
-Ofiçina e servisit dhe mjete të takelazhit
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.