Hapet gara për Avokatin e Popullit! Kush mund të kandidojë. Afati deri me 19 prill

Kuvendi ka shpallur vendin vakant për pozicionin e Avokatit të Popullit, në përfundim të mandatit të Erinda Ballancës.
Referuar shpalljes, ftohen për paraqitjen e kandidaturave për Avokatin e Popullit, individët që:
a) janë shtetas shqiptar;
b) kanë njohuri dhe veprimtari të shquara në fushën e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe të ligjit;
c) shquhen për aftësi profesionale dhe figure të pastër etiko-morale;
ç) nuk janë të dënuar penalisht;
d) nuk janë deputet në legjislaturën e Kuvendit që bën propozimin a zgjedhjen e tij;
dh) nuk bëjnë pjesë në parti apo organizata politike, nuk kryejnë veprimtari tjetër politike, shtetërore e profesionale apo marrin pjesë në organizmat drejtues të organizatave shoqërore, ekonomike dhe tregtare.
Kandidatët duhet të paraqesin dokumentacionin e kërkuar pranë Kuvendit brenda 20 ditëve nga publikimi i këtij njoftimi. Afati i fundit për paraqitjen e kandidaturave është data 19 prill 2022.
Propozimi i çdo kandidature duhet të përmbajë:
- Kërkesë për shprehje interesi për pozicionin e Avokatit të Popullit;
- CV-në e nënshkruar në çdo faqe nga kandidati dhe fotokopje të kartës së identitetit;
- Diplomën dhe listën e notave të përfundimit të arsimit të lartë;
- Librezë pune ose vërtetime të tjera që provojnë përmbushjen e kriterit ligjor të njohurive dhe veprimtarive të shquara në fushën e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe të ligjit;
- Vërtetim i gjendjes gjyqësore;
- Formularin e vetëdeklarimit në zbatim të ligjit 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i cili gjendet i publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë si dhe bashkëlidhur këtij njoftimi;
- Formularin e plotësuar në zbatim të ligjit nr.45/2015, “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish – Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, i cili gjëndet bashkëlidhur këtij njoftimi;
- Formularin e deklarimit të papajtueshmërisë në përputhje me përcaktimet në nenet 3 dhe 10 të ligjit nr. 8454, datë 4.2.1999, “Për Avokatin e Popullit”, të ndryshuar;
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.