Hapet shkolla “Ardian Klosi” – Veliaj: Cilësia e investimeve te “Bregu i Lumit”, si në qendër

Bashkia e Tiranës, ka përfunduar ndërtimin e shkollës ‘Ardian Klosi’, në Njësinë nr.4 në kryeqytet. Ky institucion arsimor ka një kapacitet prej 1000 nxënësish, ndërsa i pranishëm në përurim ishte edhe kryebashkiaku, Erion Veliaj, i cili tha se edhe në zonën e Bregut të Lumit po punohet me të njëjtin standard si në qendër të kryeqytetit.
“Duhet të jemi patjetër fitimtarë në betejën e qytetit tonë për më shumë dije. Nuk kemi ndërtuar vetëm shkollën, përballë saj është një hapësirë tjetër fantastike, një qendër komunitare, çerdhe, kopësht; kemi krijuar një oaz në një nga lagjet që më përpara ka qenë e lënë pas dore. Nuk është vetëm ky oaz, por janë edhe 18 rrugë të reja që kanë rehabilituar një pjesë të madhe të lagjes. Për herë të parë kemi të njëjtën cilësi në zonën që me konotacion negativ më përpara quhej si Bregu i Lumit, sot Bregu i Lumit është një nga lagjet më moderne të Tiranës. Pra, po punojmë me të njëjtin standard, siç punohet në sheshin “Skënderbej”, ashtu edhe në zonën e Bregut të Lumit, në Njësinë 4 edhe në këtë kompleks fantastik arsimor dhe sportive”.
Ndërtimi i shkollës ‘Ardian Klosi’ u bë i mundur falë një investimi të Bashkimit Evropian. Ajo ka në përbërje 20 klasa, 5 laboratorë, 2 fusha, 1 bibliotekë dhe 1 mensë për nxënësit. E pranishme në përurimin e saj, ishte edhe Ambasadorja e Bashkimit Evropian në vendin tonë, Romana Vlahutin.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.