Hapet shkolla “Betim Muço” – Veliaj: shtatorin tjetër 16 shkolla të tjera. 3 mijë bursa për ekselentët

Shkolla “Betim Muço” është një nga katër shkollat e reja të ndërtuara këtë vit, që në shtator do të mirëpresë rreth 1200 nxënës të zonës së Kombinatit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pasi inspektoi ambjentet deklaroi se brenda mandatit të parë si kryetar bashkie, do të përfundojë edhe ndërtimi i 16 shkollave të tjera.
“Të gjithë bashkë kemi bërë një përpjekje, duke filluar nga anëtarët e Këshillit Bashkiak, te administratori, stafi i bashkisë dhe gjithë komuniteti që ka mirëpritur një nga investimet më madhore të projektit tonë ambicioz të 20 shkollave. Në Tiranë ka qenë rutinë ndërtimi i një shkolle në vit, kurse ky vit është një rast i paprecedentë sepse hapim 4 shkolla të reja. Vitin tjetër do të kemi 16 shkollat e projektit tonë për 20 shkolla”, tha Veliaj.
Veliaj u shpreh se ndërtimi i shkollës “Betim Muço” do të ulë numrin e nxënësve nëpër klasa dhe do t’i japë fund pas shumë vitesh mësimit me dy turne. Kryebashkiaku theksoi se Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore, janë duke punuar që disa prej mësuesve me rezultatet më të mira në portalin “Mësues për Shqipërinë”, të bëhen pjesë e stafit të ri akademik të shkollës
“Kemi një bashkëpunim fantastik me Drejtorinë Arsimore. Nga java tjetër do të fillojmë aplikimet për regjistrim në këtë shkollë. Me të bërë regjistrimin, do të sigurohemi që disa nga ata që kanë dalë më mirë në portalin “Mësues për Shqipërinë”, të japin mësim këtu. Pra, kursejmë energji, kohë, para dhe nuk dyndemi të gjithë në Tiranë apo në shkollat e tjera të Kombinatit, por do të kemi një shkollë fantastike 9-vjeçare në zemër të Kombinatit, për të lehtësuar stresin e prindërve që duan më të mirën për fëmijët e tyre”, u shpreh ai.
Krahas ndërtimit të shkollave të reja, Veliaj siguroi se Bashkia e Tiranës do të shpërndajë edhe këtë vit 3 mijë bursa për nxënësit ekselentë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.