Hapet tenderi/ Si do të transformohet lulishtja në qendër të Elbasanit
Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur tenderin për rikualifikimin e Lulishtes në Qendër të qytetit të Elbasanit. Fondi limit është 32 milionë lekë ndërsa afati për aplikimet është 15 tetor 2020. Kjo zonë ndodhet në qendër të qytetit të Elbasanit.
Sheshi i propozuar shtrihet përgjatë bulevardit ‘Aqif Pasha’, pozicionuar ndërmjet xhamisë së Ballies në pjesën jugore dhe nga teatri ‘Skampa’ në lindje, me pamje nga muret e kalasë së Elbasanit. Një zonë kjo me një fluks të madh këmbësorësh dhe mjetesh automobilistike. Në kushtet aktuale zona paraqitet si një hapësirë e veçuar, pa një lidhje të mirë me objektet përreth, duke ju privuar qytetarëve përdorimin e sipërfaqes. “Kjo hapësirë përfaqëson një mundësi të mirë për të projektuar duke marrë në konsideratë natyrën urbane të zonës por dhe nevojën për tu shkrirë funksionalisht me objektin e teatrit ‘Skampa’ dhe xhamisë së Ballies” shkruhet në dokumentet e tenderit. Prona ka një sipërfaqe rreth 3200 metra katrorë.
Objektivat e projektit janë:
-Ripërcaktimi dhe rikonceptimi i raportit të hapësirës publike të propozuar me zonën urbane që e rrethon, me elementët e rëndësishëm historike, kulturorë dhe fetare.
-Ky projekt synon të rrisë cilësinë e ambjentëve të hapura publike dhe të ofrojë një hapësirë dinamike për ushtrimin e aktiviteteve të ndryshme.
-Ofrimi i hapësirave të përshtatshme urbane për evente artistiko-kulturore dhe ushtrimin e riteve fetare.
-Kthimi i sheshit në hapësirë të gjelbërt rekreative dhe shesh kryesor, si lulishtja qendrore e qytetit të Elbasanit.
Një dizajn i veçantë është propozuar për shtrimin e sheshit, në përpjekje për ta bërë sa më kontekstual dhe në linjë me natyrën e objektit dominant të kësaj zone, Xhamisë. “Në rastet e festave fetare apo të tejmbushjes së kapaciteteve të xhamise, sheshi mund të shërbejë si një zgjatim funksional, duke iu ofruar një ambjent të konsiderueshëm besimtarëve për ritin e faljes” shkruhet me tej në dokumentet e tenderit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.