Hapet tregu i shpendëve të gjalla, Veliaj: Ndihmon ekonominë lokale. Ofron produkte të certifikuara
Për të tretin vit radhazi, tregu i posaçëm i shpendëve në Baldushk u jep mundësi qytetarëve të blejnë produkte të certifikuara nga shërbimi veteriner dhe me çmime më të lira. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se ky treg ndihmon ekonominë lokale. Vitin e kaluar nga shitja e gjelave janë siguruar 1.4 milionë dollarë nga shitja e gjelave.
“Nuk ka kuptim një tavolinë e festave nëse nuk ndihmojmë ekonominë lokale. Jo vetëm shija është më e mirë, jo vetëm çmimi është më i lirë, por ndihmojmë ekonominë vendase. Më mirë t’i mbajmë këto para, sepse kur dikush blen gjel nga Baldushku, nuk ka siguruar vetëm darkën e Vitit të Ri, por ka paguar që një fëmijë të shkojë në shkollë, të vishet, t’i blihen librat, dhe që një familje të jetojë me dinjitet këtu në fshat, pa u dyndur të gjithë në Tiranë”, theksoi Veliaj.
Kreu i Bashkisë tha se tregu i ngritur në Baldushk është i certifikuar dhe funksionon me standardet e higjienës, duke u kthyer në furnizuesin kryesor të gjelit të detit për familjet e Tiranës.
“I ftoj të gjithë qytetarët të mos blejnë në rrugë, janë mall që blihet në pulari dhe shitet sikur është mall fshati. Tregu i vërtetë, origjinal, i certifikuar nga veterinarët tanë, me fermerin që e ka rritur vetë, është këtu në Baldushk. Të gjithë në Tiranë t’i ofrojnë familjes së tyre shëndet, mall cilësor, një festë të gëzuar, por mbi të gjitha të ndihen mirë shpirtërisht se me ato para kanë ndihmuar ekonominë vendase”, tha Veliaj.
Veliaj vlerësoi se ngritja e një tregu të tillë jo vetëm që ka rritur sigurinë ushqimore për qytetarët e Tiranës, por njëkohësisht ka ndikuar pozitivisht edhe në ruajtjen e higjienës në rrugët e qytetit.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.