Hapja e ambasadës – Bushati pret ministrin japonez

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati priti të hënën Ministrin e Shtetit për Punët e Jashtme të Japonisë, Nobuo Kishi. Ministri Bushati nënvizoi se qeveria shqiptare vlerëson hapjen e Ambasadës Japoneze në Tiranë si një ngjarje tepër të rëndësishme në historinë e marrëdhënieve mes dy vendeve, e cila do të kontribuojë në rritjen e bashkëpunimit dypalësh dhe të shkëmbimeve ekonomike e kulturore mes dy popujve.
Ai falënderoi ministrin Kishi për asistencën që qeveria japoneze ka dhënë gjatë dy dekadave të fundit, nëpërmjet Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar, duke nënvizuar se biznesi japonez do të gjejë një legjislacion bashkëkohor dhe klimë të favorshme për investime në Shqipëri.
Ministri i Shtetit Kishi, duke nënvizuar interesin e Japonisë për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, vlerësoi rolin e Shqipërisë në këtë drejtim si një faktor stabiliteti. Në vijim, ministrat morën pjesë në ceremoninë e hapjes së Ambasadës së Japonisë në Shqipëri dhe atë të dhurimit nga Qeveria Japoneze të 129 automjeteve, me një vlerë prej 4.6 milionë dollarësh.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.