Hapja e bizneseve – Ahmetaj: Në nëntor janë regjistruar 10 691 subjekte të reja

10 691 biznese të reja janë regjistruar gjatë muajit nëntor. Shifrat janë bërë publike nga ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, gjatë konferencës për shtyp mbi Buxhetin e vitit 2019. Sipas Ahmetaj, janë pikërisht këto biznese të reja neto që qëndrojnë në themel të rritjes ekonomike prej 4%.
“Në nëntor numri i bizneseve të reja është 10 691. Jemi duke folur për rritjen neto, pra ç’regjistrimi 6915 dhe kompani të reja janë 17 606. Pra, janë neto 10 691 biznese të reja që qëndrojnë në themel të rritjes ekonomike prej mbi 4%. Me 0.3% e nisëm në 2013”, u shpreh Ahmetaj.
Ndërsa u ndal tek prioritetet e buxhetit të 2019-ës, ministri tha se 272 miliardë lekë ose më shumë se 50% e tij është fokusuar tek mbështetja sociale. Ndërkohë, shtoi më tej se vitin e ardhshëm Shqipëria do të vazhdojë sërish të jetë me rritjen më të lartë ekonomike në rajon.
Ndërkohë, Buxheti 2019 dhe Paketa Fiskale janë miratuar ditën e sotme gjatë seancës plenare.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.