Hapja e bursës private, Bregasi: Ndihmon sipërmarrjen në financimin e projekteve
Hapja e bursës së parë private është një hap tejet pozitiv për biznesin si dhe do të ndihmojë sipërmarrjen në financimin e projekteve, pas një mungese të parave kesh si pasojë e financimit të ulët nga ana e bankave”. Deklarata vjen nga kreu i Biznes Albania, Luan Bregasi, i cili në një prononcim për Tv Scan komenton hapjen e bursës së parë private në vendin tonë.
“Krijimi i një mentaliteti të vet sipërmarrësve, vet biznesit shqiptar për t’iu larguar tregun informal dhe për t’u formalizuar mendoj si hap rrugën dhe krijon një bursë të shëndetshme për ekonominë. Janë në koherencë të plotë pjekuria ekonomike dhe pjekuria fiskale e sipërmarrësve për të formalizuar tregun e punës. E dyta, janë në përputhje ndarja e pronës nga manaxhimi i pronës, i jep peshë dhe rëndësi bursës dhe ekonomia shqiptare është në këtë rrugë. Tashmë mjaft kompani kanë themeluar biznese që nuk i drejtojnë vet, pra janë pjesë e shoqërive aksionere, janë themeluar shoqëri aksionere, që do të thotë që aksionet mund të shitet e të blihen në bursë. Mungesa e keshit në mjaft projekte që ka sipërmarrja mund ta ndihmonte shumë biznesin nëpërmjet bursës së re që është krijuar”.
Sipas Bregasit, bursa ALSE ka disa avantazhe në krahasim me atë të vitit 1996 e për pasojë e është e destinuar për të qenë e suksesshme.
“Së pari, kjo nuk është një bursë shtetërore, është një bursë private. Privatët bëjnë kalkulimet e duhura, kanë bërë planin e biznesit, kanë bërë llogaritë sesi do të funksionojë, kanë eksperiencën e mirë. Së dyti, sipas pikëpamjes sime tendenca gjithmonë e më shumë e formalizimit të ekonomisë do ti japi një pastrim bilanceve, do ti bëjë kompanitë që ti drejtohen bursës, sepse kjo ka qenë një vështirësi reale. Dhe së treti, financimi dhe nevoja e financimit që kanë kompanitë për shumë projekte, mendojë se bursa do jetë një shtëpi tjetër ku bizneset do të drejtohet për të financuar projektet e tyre nëpërmjet shitjes dhe blerjes së aksioneve”.
Sipas kreut të BiznesAlbania bizneset shqiptare nuk janë të përgatitura për të qenë pjesë e një burse për shkak të mungesës së përvojës. Megjithatë sipas tij, regjistrimi i kompanive në bursë dhe puna që do të bëhet nga sipërmarrja private garanton suksesin e saj.
“Biznesi nuk është shumë i përgatitur, por një marketing i mirë i kësaj burse, një dhënie e disa shembujve të mirë, regjistrimi i kompanive të mëdha serioze në Shqipëri në bursë.”
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.