Hapja e bursës tërheq investitorët, Crawford: Qeveria të nisë lehtësimin fiskal
Shqipëria nuk ofron kushtet për të tërhequr investitorët amerikanë. Për vitin 2017, bizneset e reja amerikane janë modeste si në numër ashtu edhe në vlerën e investimit. Por një ndikim pozitiv në këtë situatë me tregues të përkeqësuar mbi klimën e të bërit biznes, pritet të japë bursa e parë private e titujve. Kështu u shpreh Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë Mark Crawford, në emisionin “Përtëfol”, në TV Scan.
“Nuk kemi pasur ndonjë firmë shumë të njohur që mund të përmendet që ka ardhur këtu nga Amerika. Unë shpresojë që me hapjen e bursës do kemi disa investitorë që do vijnë nëpërmjet saj. Kjo është shumë pozitive, diçka që i ka munguar tregut deri më tani. Shqipëri ka qenë tani si një lloj “boksi” vetëm me një krah, pra vetëm me bankat. Duhet edhe mjete të tjera, dhe bursa është një nga këto”.
Crawford, duke iu referuar edhe shqetësimeve të anëtarëve të Dhomës Amerikane, kërkon nga qeveria marrjen e masave duke nisur nga lehtësimi fiskal. Një shembull që sipas tij duhet ndjekur është Maqedonia.
“Funksionon shumë mirë në Maqedoni. Ata kanë shumë probleme, por me tërheqjen e investitorëve të huaj kanë pasur përvoja shumë pozitive. Shqipëria ende nuk ka një përvojë me këtë zonë të lirë ekonomike pozitive, nga pikëpamja amerikane”.
Taksat e larta, burokracia qeveritare, monopolet, mosgjetja e stafit të kualifikuar dhe niveli i ekonomisë informale, u listuan si shqetësimet kryesore nga anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë, në indeksin e besimit, për vitin 2017.
Dafina Hysa/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.