Hapja e bursës, Xhepa: Të jetë pjesë e një rrjeti rajonal

Me hapjen e bursës së parë private, Shqipëria duhet të bëhet pjesë e tregjeve rajonale të kapitalit. Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa thotë në një intervistë për SCAN se në afatin e gjatë, projekti i bursës duhet parë më gjerë se tregu i brendshëm shqiptar. Sipas tij, fakti që kjo bursë është produkt i nismës private i rrit premisat që ajo të rezultojë e suksesshme.
“Mendoj që ky është një nga lajmet pozitive që merr ekonomia e Shqipërisë në këtë vit, pavarësisht se ka qenë një vit elektoral. Nga ana tjetër mendoj se është një zhvillim për t’u përshëndetur, për faktin se përtej përpjekjeve të sforcuara të deritanishme që nga viti 1996 që autoritetet publike shqiptare, pra qeveria ka këmbëngulur të krijojë një bursë shqiptare kryesisht si entitet publik, u provua që nuk ishte e mundur të ishte funksionale. Fakti që kjo iniciativë vjen nga sektori privat mendoj që shpreh njëkohësisht edhe gjasat e mëdha dhe një probabilitet të lartë që ky të jetë një projekt i suksesshëm. Unë e shikoj këtë edhe me një dimension më shumë rajonal, sepse në këtë mënyrë duke i integruar platformat e tregtimit këto të Shqipërisë me platformat e tregtimit të vendeve të tjera rajonit të Kroacisë, të Maqedonisë të Bosnjës, të Serbisë, mundet të krijohet edhe një treg rajonal kapitalesh”, u shpreh eksperti i ekonomisë.
Xhepa mendon se tashmë interesi i biznesit për instrumentet e bursës është i prekshëm. Shumë biznese mund të kenë nevojë për të ristrukturuar bilancet në krahun e detyrimeve dhe bursa vjen më momentin e duhur, për të mundësuar financimin përmes obligacioneve apo obligacioneve të konvertueshme në aksione.
“Ekziston do të thoja një masë e caktuar sipërmarrje private, e cila mund të ketë interesa për të shndërruar një pjesë të pasiveve të tyre në tituj borxhi dhe kjo mund të jetë pjesë e strategjive të tyre të ristrukturimit financiar. Pra ka potenciale dhe xhepa të mjaftueshëm fillestarë, të cilat mund të përdoren si shembuj pilot për të filluar këtë sipërmarrje. Nga iniciativat pioniere mendoj që mundet të përhapen shembuj pozitivë për të inkurajuar edhe operatorë të tjerë të sipërmarrjes private që t’i atashohen kësaj nisme thjesht dhe në interes të përfitimeve të tyre individuale”, u shpreh eksperti i ekonomisë.
Eksperti Xhepa shprehet se hapja e bursës do të jetë një zhvillim tejet i rëndësishëm për ekonominë shqiptare dhe do të garantojë një kanal alternativ të financimit të aktivitetit të sektorit privat. Megjithatë, duke parë modelin europian të zhvillimit, ai mendon se edhe në të ardhmen sistemi bankar do të ngelet kolona dominuese e sistemit financiar në vend.
Bursa Shqiptare e Titujve ALSE është projekti i parë privat që synon të ndërtojë një treg kapitali në Shqipëri. Zhvillimet e viteve të fundit kanë treguar se kërkesa dhe oferta për instrumentet e bursës është në rritje. Mjedisi me norma të ulëta interesi ka rritur kërkesën për investime me kthime më të larta, ndërkohë që disa kompani kanë nisur të përdorin titujt e huamarrjes, kryesisht obligacionet.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.