Hapja e negociatave, Borisov: Po përpiqemi të bindim skeptikët
Kryeministri, Edi Rama priti të hënën në një takim kryeministrin bullgar, Boiko Borisov.
Bullgaria mban aktualisht presidencën e radhës së Bashkimit Europian dhe hapja e negociatave të anëtarësimit ishte një ndër temat kryesore të takimit.
Kryeministri bullgar konfirmoi mbështetjen për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe shtoi se ky është qëndrimi i shumicës së vendeve anëtare. Megjithatë, ai pranoi se disa vende anëtare janë ende skeptike rreth Shqipërisë dhe do të punohet për t’i bindur deri në fund të këtij muaji.
“Kemi akoma 2-3 shtete që janë skeptike ndaj Shqipërisë. Megjithatë, shumica e vendeve europiane mendojnë se, Shqipërisë duhet t’i jepet një datë dhe një rrugë për fillimin e negociatave, edhe pse me kusht. Po bëjmë përpjekje të mëdha të bindim këto vende deri në fund të qershorit”.
Kryeministri Rama tha se Bullgaria mund të jetë një partner i rëndësishëm për sa i takon pjesës teknike të negociatave të anëtarësimit, ndërsa tha se ky vend është kthyer në një shembull pozitiv në aftësinë për të thithur fondet e Bashkimit Europian.
Dy kryeministrat morën pjesë edhe në konferencën për luftën ndaj terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, aktivitet i organizuar në kujdesin e Mbretit të Jordanisë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.