Hapja e shkollave pa protokoll, Grida Duma: Hapja e shkollave pa masat e duhura, rrezik kombëtar
Vetëm 3 javë nga fillimi i shkollës qeveria nuk ka publikuar asnjë masë apo protokoll sigurie që do të zbatohen në shkolla, për ruajtjen e shëndetit të fëmijëve dhe mësuesve. Denoncimi ka ardhur në emër të Partisë Demokratike nga Grida Duma, sipas të cilës vendimi për të hapur shkollat pa një plan konkret është një rrezik kombëtar.
Kur kanë mbetur vetëm 3 javë nga nisja e vitit të ri shkollor, qeveria nuk ka marrë asnjë masë, nuk ka publikuar asnjë udhëzim dhe asnjë protokoll sigurie që ruajnë jetën dhe shëndetin e fëmijëve dhe mësuesve. Edhe shpalljen e vendimit për rihapjen e shkollave e bënë nën presionin e drejtë të Partisë Demokratike. Nga vetë deklaratat e Ministrisë së Arsimit, vendimi për hapjen e shkollave është marrë pa asnjë përgatitje. Gjithë çfarë Ministria deklaron është që ende po detajojnë një plan. Pra, vetëdeklarojnë se kanë marrë vendimin pa pasur një plan. Vendimi i marrë para hartimit të një plani të mirëmenduar sipas kushteve dhe mundësive me shkollat tona është një rrezik mbarëkombëtar. Sot qeveria nuk deklaron asnjë plan masash, sepse nuk e ka!” – u shpreh Grida Duma.
Duma kritikoi edhe sondazhin mbi të cilin ministria e arsimit u bazua për të hapur shkollat, duke thënë se nuk u mor parasysh mendimi I prindërve që kërkojnë arsimimin e fëmijëve në kushte strikte sigurie.
Arbër Hitaj / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.