Harito: Së shpejti do ndërtohet kadastra multifunksionale, do shërbejë për legalizimet

Shumë shpejt do të ndërtohet kadastra multifunksionale, e cila do të shërbejë në procesin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe të ndërtimeve pa leje. Lajmi u dha nga ministrja e Inovacionit, Milena Haritor, gjatë një takimi me përfaqësues të disa institucioneve.
“Do të ndërtohet kadastra multifuknsionale, e cila do të fillojë nga puna së shpejti, pas mbështetjes së dhënë nga partnerët. Me këtë kadastër do të arrijnë të punojnë të gjitha institucionet. Kemi mbërritur në këtë proces, pas ngritjes së ASIG (Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeo-hapësinor) dhe mendojmë se është një arritje, pasi përfshin të gjithë hartografinë në Shqipëri”
Gjithashtu ministrja Harito bëri edhe një analizë të administratës, ku theksi u vu tek ndërtimi i një infrastrukture moderne me qëllim që ajo të funksionojë më së miri. “Të bësh një punë cilësore duhet të kesh një infrastrukturë moderne në këtë administrate. Institucione të ndryshme kanë krijuar informacione të ndryshme, ndërsa Gjeo-portali hapësinor krijoi një informacion që duhet të përdoret nga të gjitha institucionet. Hapi i dytë me rëndësi është krijimi i fotos ajrore, e cila është disponueshme në Gjeoportal dhe që do të shërbejë për problemin e ndërtimeve pa leje. Kjo është një përpjekje për të bërë më shumë transparencë. Përdorimi i fotove ajrore bën që procesi i legalizimeve të ecë shumë shpejt. Kjo është një përpjekje për të zgjidhur një problem social, që është gjithashtu edhe një problem ekonomik, pasi nuk krijohet tregu i shitje-blerjeve dhe nuk ka investime, gjë që mund të ngadalësojë procesin.”, theksoi Harito.
Osman Dedja/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.