Harley Davidson – Një arsye më shumë për të lënë Amerikën
Vendosja e tarifave të reja të Bashkimit Europian ndaj motoçikletave të Harley Davison kanë ndikuar ndjeshëm në fitimet e kompanisë në tremujorin e dytë. Kjo ka përforcuar akoma më tej vendimin e kompanisë për të zhvendosur prodhimin e saj në Europë, e cila me sa duket ‘po vuan në zjarrin’ e një lufte tregtare të intensifikuar ndjeshëm së fundmi.
Në mbarë botën, Harley Davidson ka dërguar 11% ose 9200 motoçikleta më pak gjatë tremujorit prill-qershor. Shitjet e brendshme shënuan një rënie me 6.4% krahasuar me një vit më parë, ndërkohë që shitjet jashtë shtetit u rritën me 0.7%, falë rritjes me 3.6% në Europë, Lindjen e Mesme dhe Afrikë dhe 9.1% në Amerikën Latine. Këto rezultate të kundërta shitjes erdhën vetëm pasi krijuesi i motori njoftoi se do zhvendoste një pjesë të prodhimit në Europë për të shmangur tarifat 20% të Bashkimit Europian mbi makinat amerikane.
Tarifat, të cilat kanë hyrë në fuqi që prej datës 22 qershor, parashikojnë një taksë prej 31% për motoçikletat Harley Davidson që hyjnë në BE. Kjo e fundit njoftoi tarifat e reja në mars të këtij viti si një kundërpërgjigje e Presidentit Donald Trump për tarifat e çelikut dhe aluminit nga BE. Megjithëse rritja e tarifave hyri në fuqi vetëm tetë ditë para përfundimit të tremujorit të dytë, ndikimi ishte i menjëhershëm për Harley Davidson.
“Kur tarifat u miratuan nga BE në Q2, ato shtuan presion të mëtejshëm në biznesin tonë”, tha për investitorët CEO i Harley Davidson, Mattheë Levatich.
Për t’i vështirësuar gjërat akoma më tej, një raund tjetër i tarifave filloi zbatimin më 1 korrik dhe ndikimi i tij do të shfaqet në mënyrë të pashmangshme në raportin e ardhshëm tremujor të Harley Davidson. Vendosja e këtyre tarifave të BE ishte sërish një reagim ndaj lëvizjeve tregtare të Trump, i cili njoftoi një taksë shtesë prej 20 për qind mbi të gjitha makinat evropiane. Pak orë më vonë, BE tha se do të hakmerrej me tarifat ekuivalente mbi makinat amerikane.
Kjo do të thotë se motoçikletat e Harley Davidson tani përballen me një taksë prej 51% në Europë. Ndërkohë, Trump kritikoi ashpër planin e kompanisë amerikane për të zhvendosur një pjesë të prodhimit në Evropë, duke kërcënuar se “nuk do të jetë në gjendje të shesë përsëri në SHBA pa paguar një taksë të madhe!”
Ndërsa, Levatich u shpreh se zhvendosja e prodhimit ishte vendimi më i mirë nisur nga rrethanat, një proces i cili pritet të zgjasë rreth 18 muaj. Nisur nga kjo, kompania deklaroi se është në proces negociatash me administratën për të ndryshuar tarifat e fundit që prekin Harley Davidson.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.