“Harrohet” bordi i ushqimeve – Çmimet tavan për 4 produkte të shportës, statike për dy javë!
Çmimet tavan për 4 produkte të shportës të vendosura nga Bordi i Transparencës dhe Monitorimit të Çmimeve qëndrojnë të pandryshuara për dy javë. Kështu për herë të fundit Bordi është mbledhur më 1 Prill ku ka përcaktuar çmimet maksimale të shitjes me shumicë dhe pakicë për vajin, sheqerin, orizin edhe miellin, duke qenë edhe si busull orientimi për konsumatorët në mënyrë që mos bien pre e abuzimeve.
Vendimi ka hyrë në fuqi më 5 prill duke u bërë i detyrueshëm për të gjitha subjektet që tregtojnë me shumicë/pakicë. Por sipas aktit normativ në fuqi, lidhur me funksionimin e këtij organi, Bordi “çdo javë, monitoron vlerën e çmimit te produkteve, sipas listës se miratuar prej tij, dhe vendos marzhin e fitimit.
Vlera e çmimit përbehet: nga çmimi i dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, sipas origjinës se produkteve; nga marzhi i fitimit te përcaktuar nga Bordi, per subjektet e importit dhe prodhimit ku llogaritet çmimi fillestar dhe taksat e tarifat”.
Por ndërsa kanë kaluar 18 ditë nga mbledhja e parë, ky bord nuk është mbledhur më për të përcaktuar çmime që të jenë transparente edhe për konsumatorët, edhe nëse ato nuk kanë ndryshuar, pavarësisht se tregu është dinamik dhe ndryshimet janë normale. Në këtë mënyrë, sipas vendimit që mbetet në fuqi nga data 5 prill, këto katër produkte duhet ti ofrohen konsumatorit familjar në markete me çmime jo më të larta se: 104 lekë/kg për orizin kokërrgjatë (1 kg) ; 123 lekë/kg për sheqerin (1 kg); 321 lekë/litër për vajin e lulediellit ; 90.5 leke/kg për miellin masiv.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.