“Harta” e kreditimit shqiptar – Norma e rritjes, 50% më e lartë se mesatarja rajonale
Pas një krize disavjeçare në ritmet e kreditimit, tashmë Shqipëria është ndër tregjet me ritmet më të larta të rritjes në Ballkanin Perëndimor dhe në gjithë rajonin e Europës Qendrore dhe Juglindore.
Të dhënat krahasuese nga Banka e Shqipërisë tregojnë se për tremujorin e tretë portofoli i kredisë së sistemit bankar shqiptar u rrit me mesatarisht 6%.
Ndërsa një vit më parë rritja e portofolit të kredisë në Shqipëri ishte ndjeshëm më e ulët se mesatarja rajonale, tashmë kjo normë rritjeje është afro 50% më e lartë krahasuar me rritjen mesatare për Ballkanin Perëndimor dhe Europën Qendrore dhe Juglindore.
Rritja e kredisë gjatë këtij viti shpjegohet nga banka qendrore me disa faktorë, që nga mbyllja e procesit të shitblerjes së bankave dhe hyrja në treg e investitorëve të rinj, pakësimi i fshirjeve të kredive të humbura nga bilancet, përmirësimi i kërkesës nga bizneset, si edhe vazhdimësia e normave të ulëta historike të interesit.
Nëse kreditimi për individët prej vitesh po shfaq një tendencë pozitive, kthesa e vërtetë këtë vit ka ndodhur në segmentin e biznesit, që pati vuajtur më shumë frenimin e huadhënies deri në fund të vitit të kaluar. Në këtë kuptim, tendencat e tregut shqiptar kanë qenë të ngjashme me atë të tregjeve të tjera të Europës Qendrore dhe Lindore.
Edhe në tregjet e tjera pikërisht biznesi ka vuajtur më shumë nga rritja e shkallës së kredive me probleme dhe nga shtrëngimi i huadhënies. Analizat kanë treguar se ky segment shfaqet më i ndjeshëm ndaj ndryshimeve në aktivitetin ekonomik, normës së papunësisë, apo ndryshimeve të kursit të politikës monetare, krahasuar me individët.
Ky mund të jetë një faktor shtesë me ndikim në zhvendosjen e vëmendjes së bankave drejt një segmenti më pak të ndjeshëm ndaj këtyre cikleve.
Tashmë, pesha e kredisë për individë në rajonin e Europës Qendrore dhe Juglindore ka arritur në 60% të totalit, nga rreth 50% që zinte në periudhën e para krizës.
Edhe në Shqipëri kjo zhvendosje është e konsiderueshme, megjithatë biznesi ende vazhdon të dominojë strukturën e portofolit të kredisë, me rreth 60% të totalit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.