Harta me vatrat e “nxehta” të COVID-19 – Më pak raste në 1 javë, 77% e infektimeve të reja u shënuan në 10 qytete
874 raste të reja me COVID-19 u shënuan gjatë javës që lamë pas, sipas raportimit ditor të Ministrisë së Shëndetësisë, duke shënuar një rënie në raport me një javë më parë, ku u regjistruan 1023 raste. Sipas të dhënave të përpunuara nga TV SCAN Tirana mbetet qyteti me numrin më të lartë të infektuarve të rinj gjatë periudhës 21-27 shtator me 380 raste apo 26 raste më pak se java paraardhëse. Elbasani dhe Durrësi janë 2 qytetet e tjerë që kanë regjistruar më shumë të infektuar të rinj gjatë javës që lamë pas me 58 dhe 47 raste. Ndërkohë që, pas tyre vijnë Shkodra me 44 raste, Fieri me 32 raste dhe Korça me 26 raste të reja. Vlora dhe Kruja regjistruan nga 24 raste të reja, ndërsa Lushnja dhe Kavaja nga 20 dhe 18 raste të reja, duke u pozicionuar në 10 qytetet me numrin më të lartë të të infektuarve të rinj.
Këto qytete zënë rreth 77% të të gjithë rasteve të regjistruar javën që shkoi, ndërkohë që pjesa tjetër prej 23%, ndahet mes 33 qyteteve të tjerë të vendit. Sipas raportimeve zyrtare raste të rinj me COVID-19 u regjistruan në total në 43 qytete, cka do të thotë se në 18 bashki të tjera, të paktën prej 1 jave nuk raportohen raste të infektuarish të rinj.
Megjithatë, ajo që bie në sy është fakti se në shumë prej qyteteve ku strukturat shëndetësore raportojnë raste të reja numërojnë vetëm nga 1 rast gjatë gjithë javës që lamë pas. Në total, deri të dielën në të gjithë vendin numërohen 5348 qytetarë të infektuar aktivë, një shifër që ka pësuar rritje në raport me një javë më parë ku numëroheshin 5083 qytetarë të infektuar me COVID-19.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.