“Hartëzimi” i qeverisjes vendore – Shqetësimi i qytetarëve, të jenë pjesëmarrës në vendimmarrje

Qytetarët duhet të jenë më tepër të angazhuar në menaxhimin vendor dhe të kenë më shumë hapësira për të marrë pjesë në vendime që ndikojnë në jetën e tyre. Kjo është ajo çka perceptohet nga rezultatet e vlerësimit kombëtar “Hartëzimi i qeverisjes vendore në Shqipëri”, një anketim i cili kombinon perceptimet e qytetarëve dhe vlerësimet e zyrtarëve bashkiakë mbi katër dimensione të mirëqeverisjes, bërë nga PNUD dhe partnerët e tij në projektin STAR 2.
Ky anketim ishte fokusuar tek efektiviteti dhe efikasiteti, transparenca dhe shteti i së drejtës, llogaridhënia dhe pjesëmarrja. Koordinatori i Përhershëm i Kombeve të Bashkuara dhe Përfaqësuesi i Përhershëm i PNUD, z. Brian J. Williams, u shpreh se institucionet shqiptare duhet të fitojnë më tepër besim nga qytetarët e tyre.
“Të kuptosh pikëpamjet e publikut rreth efektivitetit të qeverisjes vendore është thellësisht jetike. Pavarësisht se statistikat dhe masat e tjera janë të nevojshme për të verifikuar dhe matur atë që po ndodh me ofrimin e shërbimeve, ajo çfarë është e sigurt është se besimi tek institucionet nuk ekziston nëse njerëzit nuk kanë perceptime pozitive mbi qeverinë e tyre. E në fakt, aktualisht, institucionet shqiptare duhet të fitojnë më tepër besim nga qytetarët e tyre”, u shpreh Williams.
Anketimi ka përqasur një kombinim të teknikave të Barometrit të Qeverisjes Vendore dhe Kartave të Vlerësimit të Qytetarit. Janë intervistuar 12 000 qytetarë të përzgjedhur në mënyrë rastësore dhe në raport me madhësinë e secilës prej 61 bashkive. Gjithashtu, vlerësimi përfshin 340 intervista gjysmë të strukturuara me nëpunës civilë të nivelit të lartë në secilën bashki.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.