Hashim Thaçi jep dorëheqjen si President i Kosovës: Kjo nuk është lamtumirë por vetëm mirupafshim!
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqjen si president i Kosovës. Vendimi vjen pas thirrjes së tij nga Gjykata Speciale në Hagë.
“Para pak çastesh jam informuar zyrtarisht se gjykata ka konfirmuar akt-akuzën ndaj meje. Janë momente jo të lehtë për mua, familjen dhe ju që më keni mbështetur për këto tre dekada përpjekje për liri e shtet-ndërtim.
Do të bashkëpunoj ngushtë me drejtësinë dhe nga ky moment jam në dispozicion të drejtësisë duke besuar në drejtësi, unë besoj në të vërtetën dhe të ardhmen e shtetit dhe shoqërisë sonë. Ndaj sot më shumë se kurrë ju bëj thirrje që të mos e humbisni shpresën, durimin dhe besimin. Sot më shumë se kurrë ju ftoj që të reflektojmë se sa shumë kemi fituar si komb në këto tri dekada.
Kemi fituar lirinë, pavarësinë dhe tani po ndërtojmë dhe zhvillojmë shtetin tonë. Aktakuza ndaj meje është çmim i vogël i radhës që kërkohet të paguajmë për lirinë e vendin dhe popullit tonë.
Jam krenar për përgjegjësitë që kam mbajtur në këto tre dekada që më janë besuar nga vullneti i popullit.
Në këto rrethana të reja ftoj forcat politike të dëshmojnë maturinë që kërkon koha. Të qëndrojmë të bashkuar dhe të mos thellojmë krizën kushtetuese. Të vënë interesin e shtetit mbi ato personale e partiake. Vendi dhe shoqëria jonë ska kohë për të humbur ndaj lus që të ruajmë orientimin euro-atlantik të shtetit e shoqërisë sonë.
Kjo nuk është lamtumirë por vetëm mirupafshim”, tha Thaçi.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.