HEC-e në Erzen – Interes për dy burime të reja në Bashkinë e Tiranës

Një kompani shqiptare ka aplikuar pranë Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë për të përfituar të drejtën për ndërtimin e dy hidrocentraleve në territorin e Bashkisë së Tiranës.
Në detajet publike që ka bërë ministria bëhet me dije se shoqëria që ka shfaqur interes për këtë aspekt është “StarTek” sh.p.k., një shoqëri me përgjegjësi te kufizuar me objekt të aktivitetit: Ndërtim të objekteve civile dhe industriale, import-eksport të mallrave, konsulencë.
Hidrocentrali i parë i propozuar është Domja me kapacitet të instaluar 2 megavat në lumin Erzen në Tiranë.
Hidrocentrali i dytë është Selba e cila ka të njëjtat karakteristika si i pari pra 2 megavat dhe sërish në lumin Erzen.
Ministria bën m dije se të gjithë ata që kanë kundërshtime mbi këto aplikime mund të paraqiten pranë ministrisë ndërkohë që mund të marrin edhe informacion të detajuar për projektin tek Drejtoria e Koncensioneve, Prokurimeve, Shpronësimeve, dhe Privatizimit.
Sipas një vendimi të vitit 2015 janë një kategori hidrocentralesh që nuk rregullohen në formën e koncensioneve tipike. Këto hidrocentrale kanë një kapacitet maksimal deri në 2 megavat.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.