HEC edhe në Lushnje, vjen aplikimi pranë MIE për veprën me kapacitet të ulët prodhues

Pas interesit të jashtëzakonshëm të shfaqur gjatë verës për ndërtimin e impianteve fotovoltaike për të prodhuar energji duke shfrytëzuar energjinë diellore, tashmë fokusi i investitorëve duket se është rizhvendosur tek pasuria kryesore e vendit, burimet hidrike.
Pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë ka mbërritur një tjetër aplikim për ndërtimin e një hidrocentrali me kapacitet të ulët prodhues. Shoqëria “Deliu Group” sh.p.k. kërkon të ndërtojë një të tillë në pellgun ujëmbledhës të rezervuarit të Thanës në Bashkinë e Lushnjes, Qarku Fier.
Kjo shoqëri ka aktualisht si objekt të aktivitetit fushën e ndërtimeve, import-eksportin, ofrimin e shërbimeve dhe rrjeteve publike të komunikimeve elektronike dhe transportin e mallrave për të tretë.
Kapaciteti i instaluar do të jetë deri në 2 MW, çka nuk përfshihet në kategorinë e koncesioneve tipike, ndonëse qeveria ka ndryshuar rregullat edhe për HEC-et mbi këtë fuqi, të cilat mund të përfitojnë procedura të përshpejtuara kur ndërtohen me PPP.
Vlera e investimit nuk bëhet e ditur, por bazuar mbi rastet e ngjashme llogaritet midis 1 dhe 1.5 milionë euro.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.