HEC-et ende me interes për investitorët – Aplikim për Hidrocentralin e Koravit, pas 8 kërkesave për parqe fotovoltaike

Impiantet e prodhimit të energjisë elektrike nga dielli kanë marrë një vëmendje të veçantë muajt e fundit, por kjo nuk ka zbehur interesin e bizneseve private për të investuar edhe në hidrocentrale.
Ministria e Energjisë dhe Industrisë njoftoi se pranë këtij institucioni ka mbërritur një aplikim për të ndërtuar një HEC me kapacitet prodhues deri në 2 MW.
Bëhet fjalë për hidrocentralin e Koravit, i cili do të vendoset në pellgun ujëmbledhës të përroit të Zallit dhe Qyrsakut, degë e lumit Shkumbin në Pogradec.
Shoqëria e interesuar është “Deliu 3D”, e cila vepron në fushën e shfrytëzimit të pasurive minerare, përpunimit të mineralit deri në produkt të gatshëm dhe tregtimit të tij. Kjo kompani operon edhe në ndërtimin e veprave të ndryshme ndërtimore, përfshirë hidrocentraleve apo çdo objekti tjetër për prodhimin, shitjen e transmetimin e energjisë.
Vlera e investimit nuk bëhet e ditur, por ky HEC pritet t’i shtohet mbi 140 hidrocentraleve të tjera të vogla me kapacitet nën 2MW.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.