HEC-et në Valbonë – Gjykata rrëzon kërkesën për pezullimin e punimeve

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë ka rrëzuar kërkesën e bërë nga shoqata “Toka” dhe banorët e komunës Margegaj në Tropojë për pezullimin e punimeve për ndërtimin e hidrocentraleve mbi Valbonë. Por të gjendur përpara këtij fakti avokati i palës paditëse deklaroi se çështja do të ankimohet.
“Ne patjetër do ta ankimojmë këtë vendim, pasi mendojmë se është i padrejtë dhe mendojmë se kemi të drejtë për pezullimin e ndërtimeve. Raporti i vlerësimit do të studiohet në fazën kur do të studiohet themeli i çështjes. Ne ishim në fazën kur studiohet masa e sigurimit të padisë, që do të thotë që ne në këtë fazë evidentuarm, dhe qartazi, që jemi përpara një zone të mbrojtur dhe çdo punim i bërë në këtë zonë është qartazi në shkelje të ligjit”, u shpreh avokati Aigest Milo.
Gjykata më herët kishte vendosur ndalim të përkohshëm të punimeve për të parë nga afër situatën dhe për të vlerësuar ankimimin e banorëve. Këtë të premte e njëjta gjykatë vendosi që punimet të vijojnë ndërkohë që çështja do të shihet në themel. Seanca e radhës u caktua në datë 14 qershor.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.