Hekurudha Tiranë-Durrës-Rinas – MIE, Plaku: Interes nga 60 kompani, ja kur përfundon projekti

Pas shpalljes së fazës parakualifikuese të tenderit, 60 operatorë ekonomikë kanë shprehur deri tani interesin për linjën hekurudhore Tiranës-Durrës-Rinas.
Të dhënat bëhen me dije nga drejtori i Politikave dhe Strategjive të Zhvillimit të Transportit dhe Infrastrukturës, Thimjo Plaku i cili ishte i ftuar në studion e TV SCAN për të folur mbi projektet në rrjetin rrugor dhe atë hekurudhor.
Plaku bëri me dije dhe afatet kur kjo vepër infrastrukturore do të përfundojë, duke shtuar se deri në fund të vitit parashikohet të jenë përmbyllur të gjitha fazat përgatitore, që i hapin rrugën punimeve.
Faza parakualifikuese e tenderit i lejon operatorëve ekonomikë të interesuar të paraqesin aplikimet e tyre për përfshirje në listën e operatorëve, të cilët më pas do të ftohet të tenderojnë për aktivitetin e prokurimit.
Ajo përfundon në datën 31 maj. Ndërkohë që, sipas projektit, linja e rehabilituar Tiranë-Durrës do të lejojë një shpejtësi treni të paktën 100 km/h.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.