Heqja e barrës së certifikatave – Shqiptarët kursejnë 10 milionë lekë në muaj dhe mijëra orë pritjeje

Portali shtetëror E-Albania ka prezantuar bilancin e 100 ditëve të para të vendosjes së shërbimit online të printimit të dokumenteve të Gjendjes Civile dhe Drejtorisë së Tatimeve.
Qytetarët kanë akses tashmë online në 29 dokumente të disponueshme me vulë dixhitale, si certifikata familjare, certifikata e aktit të lindjes, vërtetime, ekstrakte, etj.
Nëse gjatë muajit Shtator u printuan mbi 400 mijë certifikata të gjendjes civile, ky numër përgjatë muajve të fundit ka ardhur në rënie të ndjeshme. Në fund të dhjetorit u numëruan vetëm 100 mijë dokumente të tilla të printuara ose rreth 3 herë më pak.
Kjo llogaritet në reduktimin e kostos prej 10 milionë lekëve në muaj për qytetarët shqiptarë, ndërsa pritet që shifra e printimeve të vazhdojë të bjerë në mënyrë të konsiderueshme.
Sa u takon vërtetimeve të lëshuara nga Tatimet, tashmë 9 të tilla ofrohen vetëm online. Kjo llogaritet në një kursim prek mbi 20 mijë orësh pritjeje në sportele nga ana e qytetarëve dhe bizneseve.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.