Heqja e Roaming Kosovë – Shqipëri brenda këtij sezoni veror?! – Të dyja qeveritë krijojnë grupe pune
Qeveria shqiptare dhe ajo e Kosovës do të krijojnë grupe pune për të përgatitur ligjin dhe marrëveshjen për heqjen e roaming-ut mes dy vendeve.
Një javë më parë Kosova miratoi rezolutën për heqjen e roaming-ut me Shqipërinë, e propozuar kjo në Kuvend nga grupi parlamentar i Partisë Socialdemokrate.
Përfaqësues të kësaj partie kanë zhvilluar një takim me ministrin e Energjisë dhe Infrastrukturës Damian Gjiknuri, ku synohet që heqja e roaming të arrihet brenda këtij sezoni veror.
“Shumë shpejt pa Roaming në Kosovë e Shqipëri.
Në takimin me ministrin e Energjisë, Infrastrukturës dhe Telekomunikacionit në Qeverinë e Shqipërisë, z. Damian Gjiknuri, i cili shprehi interesimin e tij që të hiqet roamingu ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, vendosëm që të dy qeveritë menjëherë të krijojnë grupe punuese për ta përgatitur ligjin dhe marrëveshjen për heqjen e roamingut.
Po synojmë që këtë ta arrijmë gjatë sezonit veror të këtij viti”, shkruan në rrjetin social deputeti i PSD, Dardan Molliqaj.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.